Një gjykatë në Moskë të martën urdhëroi arrestimin e Yulia Navalnaya, e veja e politikanit të ndjerë të opozitës rus, Alexei Navalny.
Gjykata akuzon Navalnaya, e cila jeton jashtë Rusisë, për pjesëmarrje në një grup "ekstremist". Vendimi do të thotë se ajo do të përballet me arrestim të sigurt nëse shkel në vend, raporton Reuters.
Navalnaya, 47 vjeç, është bërë qendër e vëmendjes pas vdekjes së burrit të saj në një koloni penale të Arktikut në shkurt dhe tha se do të vazhdojë luftën për atë që Navalny e quajti "Rusia e bukur e së ardhmes".
Duke shkruar në X të martën, Navalnaya u ka thënë mbështetësve të saj që të mos përqendroheshin në urdhrin e gjykatës kundër saj, por në betejën kundër presidentit rus, Vladimir Putin.
“Kur shkruani për këtë, ju lutem mos harroni të shkruani gjënë kryesore: Vladimir Putin është një vrasës dhe një kriminel lufte”, ka shkruar ajo.
"Vendi i tij është në burg, dhe jo diku në Hagë, në një qeli komode me TV, por në Rusi - në të njëjtën koloni (penale) dhe të njëjtën qeli 2 me 3 metra në të cilën ai vrau Alexei”, ka shtuar ajo.
Kremlini ka mohuar të ketë urdhëruar vrasjen e Navalnyt.
Që nga vdekja e burrit të saj, Navalnaya ka takuar një numër udhëheqësish të lartë perëndimorë, duke përfshirë presidentin e SHBA-së Joe Biden në San Francisko.
Grupi jofitimprurës me bazë në SHBA, Fondacioni i të Drejtave të Njeriut e emëroi Navalnaya kryetaren e saj javën e kaluar dhe ajo tha se do të përdorte rolin e ri për të rritur luftën e saj të zhvilluar nga bashkëshorti i saj kundër Putinit.