Botë

Gjykata ruse refuzon t’i lirojë avokatët e Navalnyt

avokatet e Navalnyt

Foto: Associated Press

Gjykata Supreme e Rusisë ka refuzuar lirimin e tre avokatëve që dikur përfaqësonin ish-liderin opozitar, Alexei Navalny, dhe tani përballen me akuza për ekstremizëm. Po ashtu, ka refuzuar që rastin e tyre ta transferojë në një gjykatë tjetër, edhe pse mbrojtja ka pretenduar për konflikt interesi.

Vadim Kobzev, Igor Sergunin dhe Alexei Lipster u arrestuan në tetor. Sipas aleatëve të Navalnyt, autoritetet i kanë akuzuar avokatët për përdorim të statusit të tyre si avokatë  mbrojtës për t’i kaluar letrat nga ish-politikani i burgosur te ekipi i tij, duke shërbyer kështu si ndërmjetës mes Navalnyt dhe atij që e quajtën si “grup ekstremist të tij”.

Organizatat e Navalnyt në Rusi janë shpallur të jashtëligjshme dhe janë quajtur grupe ekstremiste në vitin 2021, gjë që bëri të ekspozohen të gjithë ata që janë të përfshirë në to ndaj ndjekjes penale.

Avokatët kanë kërkuar që rasti i tyre të transferohet në gjykatë tjetër me arsyetimin se kjo gjykatë nuk do të jetë objektive.

Vetë Navalny ka qenë duke kryer dënimin me burg me 30 vjet me akuzat që përfshinin edhe ekstremizmin. Ai vdiq në shkurt në burgun ku po mbahej.