Wall Street Journal

Gjykata ruse ia zgjat paraburgimin gazetarit të “Wall Street Journal”, Evan Gershkovich

Evan Gershkovich

Një gjykatë në Moskë i ka zgjatur paraburgimin të martën reporterit të “Wall Street Journal”, Evan Gershkovich, të paktën deri në fund të qershorit. Shtetasi amerikan, 32-vjeçar u arrestua në fund të marsit të 2023-s dhe ka kaluar gati një vit pas grilave.  

Arrestimi i tij është zgjatur deri më 30 qershor. Gershkovich dhe punëdhënësi i tij i kanë mohuar akuzat dhe qeveria amerikane e ka shpallur atë si të arrestuar gabimisht.  

Arrestimi i tij në qytetin e Yekaterinburgut tronditi gazetarët në Rusi, ku autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi provat që kanë për të mbështetur akuzat për spiunazh. 

Gershkovich po mbahet në burgun Lefortovo të Moskës, i cili është i njohur për kushtet e tij të vështira. Ambasadorja e SHBA-së në Rusi, Lynne Tracy mori pjesë në seancën gjyqësore të martën dhe përsëriti se akuzat kundër Evanit janë kategorikisht të pavërteta. Të paktën dy shtetas amerikanë të arrestuar në Rusi vitet e fundit – përfshirë basketbollisten e WNBA-së, Brittney Griner – janë shkëmbyer me rusë të burgosur në SHBA.