Bukuresht

Gjykata në Rumani vendos se mund të nisë gjykimi ndaj Andrew Tate

Andrew Tate dhe Tristan Tate

Andrew Tate dhe Tristan Tate

Foto: Associated Press

Një gjykatë në Rumani vendosi të premten se mund të nisë një gjyq në rastin e influencuesit Andrew Tate, i cili është akuzuar për trafikim njerëzor, përdhunim dhe formim të një bande kriminale për shfrytëzim seksual të grave.  

Gjykata e Bukureshtit vendosi se dosja e çështjes së prokurorëve kundër Tate plotësonte kriteret ligjore, por nuk caktoi një datë për fillimin e gjyqit.  

Një zëdhënës i Tate tha se vendimi do të apelohej.  

Tate u arrestua në dhjetor 2022 pranë Bukureshtit së bashku me vëllain e tij, Tristanin dhe dy gra rumune. 

Vëllezërit Tate, të cilët janë me shtetësi të dyfishtë, asaj të Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së, akuzohen për shfrytëzimin e grave nëpërmjet një biznesi të përmbajtjes për të rritur, të cilin prokurorët pretendojnë se vepronte si një grup kriminal. Ata i kanë mohuar akuzat.

Dy bashkëpunëtore rumune u përmendën gjithashtu së bashku me vëllezërit në një padi të botuar në qershor të vitit të kaluar, dhe u identifikuan shtatë viktima të supozuara. 

Andrew Tate është një mizogjen i vetë-përshkruar dhe më parë ishte ndaluar nga platformat e mediave sociale për shprehjen e pikëpamjeve mizogjene.