Botë

Gjykata në Korenë e Jugut lëshon urdhërarrest për presidentin që shpalli ligj ushtarak

Yoon Suk Yeol

Një gjykatë e Koresë së Jugut ka miratuar të martën një urdhërarrest për presidentin Yoon Suk Yeol, liderin që e zhyti vendin në kaos politik me vendimin e tij për të shpallur ligjin ushtarak gati një muaj më parë.

Kjo është hera e parë që një president në detyrë i Koresë së Jugut përballet me një urdhërarrest, raporton CNN.

Yoon-it iu hoqën kompetencat e tij presidenciale pasi parlamenti i Koresë së Jugut votoi për shkarkimin e tij në fillim të këtij muaji. Shkarkimi erdhi pasi disa anëtarë të partisë së tij qeverisëse iu kundërvunë atij pas refuzimit të tij për të dhënë dorëheqjen për dekretin e 3 dhjetorit.

Agjencia kundër korrupsionit e Koresë së Jugut ka thënë se Gjykata e Qarkut Perëndimor të Seulit ka dhënë të martën urdhrin për Yoon me akuzën për shpërdorim të autoritetit dhe orkestrimin e një rebelimi.

Urdhri i arrestit u lëshua pasi Yoon, një ish-prokuror, kishte refuzuar t'i përgjigjej tri thirrjeve nga hetuesit në javët e fundit të cilët kërkonin bashkëpunimin e tij, sipas Zyrës së Hetimit të Korrupsionit (CIO).

Yoon kërkohet për t'u marrë në pyetje në hetime të shumta, duke përfshirë akuzat për drejtimin e një kryengritjeje, një krim i dënueshëm me burgim të përjetshëm apo edhe me vdekje.

Avokati i presidentit, Yoon Kab-keun, e ka quajtur të martën lëshimin e një urdhërarresti "të paligjshëm dhe të pavlefshëm".

Një urdhërarrest zakonisht duhet të ekzekutohet brenda shtatë ditëve, por mund të zgjatet, sipas CIO.