Marine Le Pen e Francës përballet të hënën me një moment të rëndësishëm, pasi një gjykatës do të vendosë nëse ajo duhet të përjashtohet nga zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Udhëheqësja e djathtë, e cila është përpara të gjithë rivalëve të saj në garën për zgjedhjet e vitit 2027, do të paraqitet në gjykatë paraditën e së hënës për vendimin lidhur me mënyrën e financimit të partisë së saj “Tubimi Kombëtar”, raporton BBC.

Në përfundim të gjyqit në nëntor, prokurori i shtetit ka kërkuar vendime fajësie për Le Pen dhe 24 të tjerë të akuzuar për përdorimin e parave të parlamentit evropian për të paguar pagat e partisë.

Por, prokurori ka thënë gjithashtu se dënimi i Le Pen nuk duhet të jetë vetëm një gjobë prej 300,000 euro dhe burgim, por edhe pamundësi për të kandiduar për poste publike për pesë vjet.

Më e rëndësishmja, ai prokurori ka kërkuar që papranueshmëria duhet të fillojë menjëherë, dhe jo të pezullohet në pritje të apelit që Marine Le Pen mund të paraqesë nëse dënohet.

Nëse gjyqtarët në rastin ndaj saj ndjekin rekomandimet e prokurorit, kjo do të nënkuptojë se Le Pen, e cila është 56 vjeçe, do t'i ndalohet të kandidojë në zgjedhjet presidenciale në të cilat ajo konsiderohet si fituese e mundshme.

“Është vdekja ime politike që ata kërkojnë”, kishte thënë Le Pen në nëntor.

Shumë komentues francezë, dhe jo vetëm ata që mbështesin Le Pen, kanë paralajmëruar për pasoja të rënda për demokracinë nëse gjyqësori shihet si ndërhyrës në zgjedhjen e liderit të vendit.

Le Pen dënohet edhe me katër vjet burgim dhe gjobë prej 100.000 eurosh

2 j. më parë / 31 mar 2025 13:14
Marine Le Pen

Photo: Associated Press

Verdikti i plotë i gjykatës për udhëheqësen e partisë së ekstremit të djathtë në Francë “Tubimi Kombëtar”,  Marine Le Pen është miratuar.

Ajo është dënuar me pesë vjet pamundësi kandidimi për poste publike, me efekt të menjëhershëm, duke e përjashtuar atë nga gara presidenciale e vitit 2027.

Gjykatësit gjithashtu i kanë dhënë Le Penit një dënim me katër vjet burgim, nga të cilat dy vjet janë dënim me kusht dhe dy të tjera arrest shtëpiak, e po ashtu një gjobë prej 100,000 eurosh.

Pritet që Le Pen të apelojë dhe dënimi me burgim dhe gjoba nuk do të zbatohen derisa apelimet e saj të shterohen.

Bardella: Demokracia franceze është ekzekutuar

2 j. më parë / 31 mar 2025 13:05
Jordan Bardella

Photo: Associated Press

Presidenti i partisë “Tubimi Kombëtar” Jordan Bardella, ka reaguar ndaj vendimit të gjykatës në Paris për shpalljen fajtore të Marine Le Pen për përvetësim të fondeve të BE-së. 

“Sot nuk është vetëm Marine Le Pen ajo që dënohet padrejtësisht: është demokracia franceze ajo që është ekzekutuar”, ka shkruar Bardella në mediat sociale. 

Le Penit i është ndaluar kandidimi për poste publike brenda pesë vjetëve të ardhshme. 

Ajo synonte të kandidonte për presidente të Francës në zgjedhjet e vitit 2027 dhe shihej si favorite për t'i fituar ato.

Le Penit i ndalohet të kandidojë për poste publike për 5 vjet

2 j. më parë / 31 mar 2025 12:09
Marine Le Pen

Marine Le Pen

Photo: Associated Press

Gjykata në Paris ia ka ndaluar Marine Le Penit të kandidojë për poste publike për 5 vjetët e ardhshme. Vendimi është me efekt të menjëhershëm.

Le Pen e ekstremit të djathtë në Francë është shpallur të hënën fajtore për përvetësim të fondeve të Parlamentit Evropiane, për të financuar partinë e saj “Tubimi Kombëtar”.

Gjykata pritet të japë edhe detaje të tjera lidhur me dënimin ndaj saj dhe tetë deputetëve të partisë "Tubimi Kombëtar" që janë shpallur fajtorë bashkë me të. 

Mediat franceze kanë raportuar se Le Pen e ka lëshuar sallën e gjykatës ende pa përfunduar shpallja e dënimit. 

Le Pen shpallet fajtore për përvetësim të fondeve të BE-së

2 j. më parë / 31 mar 2025 11:03
Marine le Pen

Photo: Associated Press

Marine le Pen e së djathtës ekstreme në Francë dhe tetë deputetë të partisë së saj “Tubimi Kombëtar” janë shpallur të hënën fajtorë nga një gjykatë, për përvetësim të fondeve të Bashkimit Evropian për të financuar partinë e saj.

Dënimet e tyre nuk janë lexuar ende, raportojnë mediat franceze.

Prokurorët vitin e kaluar kanë thënë se dënimi i Le Penit nuk duhet të jetë vetëm një gjobë prej 300,000 eurosh dhe burgim, por edhe pamundësi për të kandiduar për poste publike për pesë vjet.

Sipas prokurorëve, papranueshmëria duhet të fillojë menjëherë, dhe jo të pezullohet në pritje të apelit që Marine Le Pen pritet të paraqesë nëse dënohet.

Kjo do të prishte shpresat e saj për të kandiduar për presidente në vitin 2027.