Botë

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshon urdhërarreste për dy zyrtarë të lartë rusë

Sergei Shoigu

Foto: Associated Press

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhërarrest për Sergei Shoigu, ish-ministrin rus të Mbrojtjes dhe gjeneralin kryesor rus, Valery Gerasimov të martën, për krime të dyshuara të kryera gjatë pushtimit rus të Ukrainës.

Shoigu u shkarkua nga posti i ministrit të Mbrojtjes muajin e kaluar dhe u emërua në një post tjetër, në ndryshimet më domethënëse që presidenti rus, Vladimir Putin i bëri komandës së tij ushtarake që nga fillimi i luftës në 2022, raporton Reuters.

Gjykata me bazë në Hagë ka thënë se Shoigu dhe Gerasimov dyshoheshin se kishin kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për drejtimin e sulmeve kundër civilëve dhe objekteve civile në Ukrainë.

“Gjyqtarët kanë gjetur se ka baza të arsyeshme për të besuar se dy të dyshuarit mbajnë përgjegjësi për sulmet me raketa të kryera nga forcat e armatosura ruse kundër infrastrukturës elektrike të Ukrainës, nga 10 tetori 2022 deri më 9 mars 2023", thuhet në deklaratën e ICC-së.

Rusia, e cila nuk është anëtare e ICC-së, ka thënë vazhdimisht se infrastruktura energjetike e Ukrainës është një objektiv legjitim ushtarak dhe mohon të ketë shënjestruar civilët ose infrastrukturën civile.

Ndërkaq Ukraina gjithashtu nuk është anëtare, por i ka dhënë juridiksionin ICC-së për të ndjekur penalisht krimet e kryera në territorin e saj.

Urdhër-arrestet për Shoigu dhe Gerasimov e çojnë në tetë totalin e urdhërarresteve të lëshuara kundër të dyshuarve të lartë rusë që nga fillimi i pushtimit.

Këtu përfshihet Putini, i dyshuar për një krim lufte për dëbimin e fëmijëve ukrainas në Rusi.