Botë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë hap dëgjimet për operacionin e Izraelit në Rafah

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Foto: Associated Press

Gjykata kryesore e Kombeve të Bashkuara, ka hapur të hënën dëgjimet dy-ditore për kërkesën e Afrikës së Jugut, që t’i bëjë presioni Izraelit ta ndalë operacionin ushtarak në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

Në këtë qytet deri tani ishin të strehuar më shumë se 1,4 milionë banorë, raporton AP.

Është hera e katërt që Afrika e Jugut i kërkon Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë masa urgjente që kur kombi nisi procedurat duke pretenduar se veprimi ushtarak i Izraelit në luftën e tij me Hamasin në Gaza përbën gjenocid. 

“Seanca është e hapur”, ka thënë të enjten presidenti i GJND-së, Nawaf Salam. 

Sipas kërkesës së fundit, urdhrat e mëparshëm paraprak të gjykatës me bazë në Hagë nuk ishin të mjaftueshme për të adresuar "një sulm brutal ushtarak në strehën e vetme të mbetur për popullin e Gazës". 

Izraeli e ka portretizuar Rafahun si bastionin e fundit të grupit militant, duke hequr dorë nga paralajmërimet nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë se çdo operacion i madh atje do të ishte katastrofik për civilët. 

Afrika e Jugut i ka kërkuar gjykatës të urdhërojë Izraelin të tërhiqet nga Rafahu, të marrë masa për të siguruar qasje të papenguar për zyrtarët e OKB-së, organizatat humanitare dhe gazetarët në Rripin e Gazës, dhe të raportojë brenda një jave se si po i përmbush këto kërkesa.

Gjatë seancave dëgjimore në fillim të këtij viti, shteti izraelit mohoi fuqimisht kryerjen e gjenocidit në Gaza dhe tha se bën gjithçka që mundet për të kursyer civilët dhe po synon vetëm militantët e Hamasit. 

Sipas zyrtarëve izraelitë, taktika e Hamasit për t'u futur në zonat civile e bën të vështirë shmangien e viktimave civile. 

Në janar, gjykatësit urdhëruan Izraelin të bënte gjithçka që mundet për të parandaluar vdekjen, shkatërrimin dhe çdo akt gjenocidi në Gaza, por paneli nuk dha urdhër për t'i dhënë fund ofensivës ushtarake që ka shkatërruar enklavën palestineze. 

Ndërkaq, në një urdhër të dytë në mars, gjykata ka thënë se Izraeli duhet të marrë masa për të përmirësuar situatën humanitare në Gaza, duke përfshirë hapjen e më shumë vendkalimeve tokësore për të lejuar hyrjen e ushqimit, ujit, karburantit dhe furnizimeve të tjera.

LEXO EDHE: