Gjykata më e lartë e Francës ka lënë në fuqi një vendim të gjykatës së Apelit, i cili e kishte shpallur fajtor ish-presidentin, Nicolas Sarkozy, për korrupsion dhe tregti me ndikim gjatë kohës që ai ishte kreu i shtetit.
Sarkozy, 69 vjeç, përballet me një vit burgim, por pritet të kërkojë të mbahet në shtëpi me një byzylyk elektronik, siç ndodh rëndom për çdo dënim prej dy vjetësh ose më pak, raporton AP.
Ai është shpall fajtor për korrupsion dhe shpërdorim ndikimi si nga një gjykatë e Parisit në vitin 2021, ashtu edhe nga një gjykatë apeli në vitin 2023, për përpjekjen për të korruptuar një gjyqtar në këmbim të informacionit për një çështje ligjore në të cilën ai ishte i implikuar.
"Dënimet janë përfundimtare”, thuhet në një deklaratë të Gjykatës së Kasacionit të mërkurën.
Sarkozy, i cili ishte president i Francës nga viti 2007 deri në vitin 2012, u tërhoq nga jeta publike në vitin 2017, megjithëse ende luan një rol me ndikim në politikën konservatore franceze. Ai ishte ndër të ftuarit që morën pjesë në rihapjen e Katedrales Notre Dame në fillim të këtij muaji.
Sarkozy, në një deklaratë të postuar në X, ka thënë se do të marrë përgjegjësitë e tij dhe do të përballet me të gjitha pasojat.
“Nuk kam ndërmend të ankohem. Por unë nuk jam i përgatitur të pranoj padrejtësinë e thellë që më është bërë”, ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se do të kërkojë ta çojë çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe shpreson se këto procedura do të rezultojnë në "dënimin e Francës".