Gjykata Federale Gjermane ka lënë në fuqi dënimin ndaj një gruaje 99-vjeçare, e akuzuar si ndihmëse në vrasje, gjatë rolit të saj si daktilografe, në një kamp përqendrimi nazist, në dy vjetët e fundit të Luftës së Dytë Botërore.
Në vitin 2022, Irmgard Furchner u dënua me dy vjet me kusht, për ndihmë dhe nxitje në vrasjen e 10,505 personave gjatë kohës së saj si sekretare, kur ishte 18 dhe 19 vjeçare në kampin e përqendrimit Stutthof, raporton Reuters.
Gjykata Federale hodhi poshtë argumentin e avokatit të saj se përfshirja e saj nuk shkonte përtej kryerjes së aktiviteteve "të përditshme" si daktilografiste.
Vendimi i gjykatës për të lënë në fuqi vendimin e mëparshëm është përfundimtar dhe nuk mund të apelohet.
"Parimi që aktivitetet profesionale tipike, neutrale të 'natyrës së përditshme' nuk janë kriminale nuk zbatohet këtu, pasi e pandehura e dinte se çfarë po bënin autorët kryesorë dhe i mbështeti ata për ta bërë atë”, thanë gjyqtarët në gjykatën e Leipzig.
Rreth 65,000 njerëz vdiqën nga uria dhe sëmundjet ose në dhomën e gazit në kampin në Stutthof, afër Gdansk, në atë kohë ende qyteti gjerman i Danzig. Ato përfshinin të burgosur lufte dhe hebrenj të kapur në fushatën e shfarosjes së nazistëve.
Shumë u transportuan prej andej për t'u djegur me gaz në Aushvic.
Dështimi i Furchner për t'u paraqitur në hapjen e gjyqit të saj në vitin 2021 e bëri atë, në moshën 96-vjeçare, një nga të arratisurit më të vjetër në botë, duke bërë që gjyqtarët të lëshonin një urdhër arresti për të.