Botë

Gjykata e Lartë e Spanjës vë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e ligjit për amnisti për katalonjasit

Parlamenti spanjoll

Parlamenti spanjoll

Foto: Associated Press

Gjykata e Lartë e Spanjës të mërkurën kundërshtoi kushtetutshmërinë e një ligji për amnisti të miratuar nga qeveria në fillim të këtij viti për qindra separatistë katalonjas.

Gjykata e Lartë nuk mund ta rrëzojë amnistinë, por ajo i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vendit ta peshojë atë, raporton AP.

Spanja miratoi ligjin e amnistisë në mars për të ndihmuar separatistët në telashe ligjore, për ndikimin e tyre në një përpjekje të dështuar shkëputjeje të vitit 2017 nga zyrtarë të zgjedhur të rajonit verilindor.

Gjykata e Lartë ka thënë se beson se amnistia shkel parimin e barazisë para ligjit, të garantuar me Kushtetutën e Spanjës. 

Gjykata argumentoi gjithashtu se amnistia shkel parimin kushtetues të sigurisë juridike duke krijuar një pritshmëri që aktivistët e tjerë politikë mund të shkelin ligjin pa u ndëshkuar.

Kundërshtarët politikë kanë thënë se qeveria e Spanjës ka miratuar amnistinë vetëm për të tërhequr mbështetjen e partive separatiste, për të cilën kryeministri Pedro Sanchez kishte nevojë për të formuar një qeveri të re pas zgjedhjeve të vitit të kaluar.

Amnistia, e cila duhet të zbatohet nga gjyqtarët rast pas rasti, do të ndihmonte kryesisht nëpunësit civilë dhe qytetarët e thjeshtë, por pritej të ndihmonte edhe ish-presidentin rajonal, Carles Puigdemont, një i arratisur nga ligji spanjoll që kur u zhvendos në Belgjikë.