Botë

Gjykata e Lartë e Izraelit vendos që burrat ultra-ortodoksë të shërbejnë në ushtri

Izrael

Gjykata e Lartë e Izraelit ka marrë vendim unanim të martën që edhe burrat ultra-ortodoksë të shërbejnë në ushtri, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Ky vendim vlerësohet se mund të çojë në rënien e koalicionit qeverisës të kryeministrit Benjamin Netanyahu në kohën kur Izraeli po e vazhdon luftën në Gaza.

Sipas këtij vendimi, sistemi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak të Izraelit duhet të zbatohet edhe për ultra-ortodoksët njësoj si për çdo qytetar tjetër.  

Para këtij vendimi, burrat ultra-ortodoksë nuk shërbenin në ushtri, sistem i cili është i detyrueshëm për shumicën e burrave dhe grave hebreje. 

Gjykata ka konstatuar se shteti “po vepron në mënyrë selektive, gjë që përfaqëson shkelje të rëndë të shtetit të së drejtës dhe parimit sipas të cilit të gjithë individët janë të barabartë përpara ligjit”.

Partitë ultra-ortodokse, të fuqishme politikisht, e partnerë kryesorë në koalicionin qeverisës të Netanyahut, kundërshtojnë çdo ndryshim në sistemin aktual. Ky vendim mund të shkaktojë shpërbërjen e koalicionit, duke shkaktuar kështu kolapsin e qeverisë dhe duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Vendimi i gjykatës vjen në një kohë të ndjeshme, pasi lufta në Gaza po vazhdon dhe numri i ushtarëve të vdekur po rritet.

Ultra-ortodoksët i vlerësojnë studimet e tyre mbi fenë, si pjesë të mbrojtjes së shtetit të Izraelit. Shumë kanë frikë se kontakti më i madh me shoqërinë laike nëpërmjet përfshirjes në ushtri, do t’i largojë ithtarët nga respektimi i rreptë i besimit.

Burrat ultra-ortodoksë ndjekin leksione të veçanta që fokusohen në studime fetare, me pak vëmendje në tema laike si matematika, gjuha angleze ose shkenca. Kritikët thonë se ata nuk janë të përgatitur për të shërbyer në ushtri.