E përditësuar (10:38) - Gjykata e Lartë e Bangladeshit ka vendosur të dielën për zvogëlim kuotash për aplikantët për punë në qeveri, pasi si pasojë e saj shpërthyen trazirat dhe përleshjet vdekjeprurëse midis policisë dhe protestuesve, duke lënë të vdekur dhjetëra njerëz.
Gjykata në vendimin e saj urdhëroi që 93% e vendeve të punës në qeveri të ndahen në një sistem të bazuar në merita, duke lënë 7% të mbetur për të afërmit e veteranëve që luftuan në luftën e pavarësisë së Bangladeshit në vitin 1971 dhe kategori të tjera.
Më herët, sistemi rezervonte 30% të këtyre vendeve të punës për të afërmit e veteranëve të luftës, raporton AP.
Vendimi i së dielës vjen pas disa javësh demonstratash, të udhëhequra kryesisht nga studentë, që u kthyen vdekjeprurëse të martën, pasi protestuesit filluan të përleshen me policinë.
Gjatë javës, policia hodhi gaz lotsjellës dhe plumba gome dhe hodhi granata tymuese për të shpërndarë protestuesit që hidhnin gurë, të cilët mbushën rrugët dhe kampuset universitare.
Përleshje sporadike në disa pjesë të kryeqytetit Dhaka, u raportuan të shtunën, por nuk dihej nëse kishte viktima.
Autoritetet e Bangladeshit nuk kanë dhënë asnjë numër zyrtar të të vrarëve dhe të plagosurve, por gazeta “Daily Prothom Alo” raportoi të shtunën se të paktën 103 njerëz kanë vdekur deri më tani.
Bangladeshi zgjat shtetrrethimin si pasojë e protestave vdekjeprurëse
Autoritetet e Bangladeshit kanë zgjatur shtetrrethimin në të gjithë vendin të dielën, pasi gjykata e lartë e vendit pritej të vendoste mbi kuotën e punësimit, një çështje kjo që ka çuar në përleshjet vdekjeprurëse midis policisë dhe protestuesve.
Policia ka hedhur gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë protestuesit që hidhnin gurë, të cilët mbushën rrugët në Bangladesh, duke protestuar kundër kuotës së punësimit të shërbimit civil, raporton AP.
Demonstratat, të thirrura kryesisht nga grupet studentore, filluan javë më parë për të protestuar kundër një sistemi kuotash që rezervon deri në 30% të vendeve të punës në qeveri për të afërmit e veteranëve që luftuan në luftën e pavarësisë së Bangladeshit, në vitin 1971.
Dhuna shpërtheu të martën, derisa gazeta “Daily Prothom Alo” të shtunën raportoi vdekjen e të paktën 103 personave deri më tani.
LEXO EDHE: