Botë

Gjuetia gati njëvjeçare kundër liderit të Hamasit

Yahya Sinwar

Gjuetia gati njëvjeçare kundër liderit të grupit militant islamik në Gazë, Yahya Sinwar, ka përfshirë një përzierje të teknologjisë së përparuar dhe forcës brutale, pasi ndjekësit e tij janë treguar të përgatitur të bëjnë çdo gjë, duke përfshirë shkaktimin e numrit të madh të viktimave civile, për ta vrarë atë dhe për të shkatërruar rrethin e ngushtë të tij.

Një grup pengjesh izraelite u grumbulluan në një tunel në Gazë disa ditë pasi ishin tërhequr zvarrë nga shtëpitë e tyre më 7 tetor, kur njeriu që kishte komplotuar rrëmbimin e tyre u shfaq jashtë errësirës nëntokësore.

Flokët dhe mjekra e tij ishin gri dhe sytë e tij me rrathë të errët shikonin nën vetullat e trasha të zeza. Ishte një fytyrë e njohur për ta nga njëmijë transmetime dhe histori gazetash: Yahya Sinwar. Udhëheqësi i Hamasit në Gazë ishte njeriu më i frikshëm në Izrael, edhe para se të urdhëronte bastisjen e tetorit, ku 1,200 njerëz, dy të tretat e tyre civilë, u vranë dhe 250 u morën peng.

Në hebraishten e rrjedhshme, të përsosur për më shumë se 22 vjet në një burg izraelit, Sinwar i siguroi ata se ishin të sigurt dhe se së shpejti do të shkëmbeheshin me të burgosur palestinezë. Një nga pengjet, Yocheved Lifshitz, një aktivist 85-vjeçar veteran i paqes, nuk kishte kohë për të treguar shqetësimin e tij për mirëqenien e tyre dhe sfidoi liderin e Hamasit përballë tij.

“E pyeta se si nuk kishte turp të bënte diçka të tillë me njerëzit që kishin mbështetur paqen gjatë gjithë këtyre viteve?”, i ka thënë Lifshitz gazetës Davar pas lirimit të tij pas 16 ditësh në robëri. 
“Ai nuk u përgjigj. Ai ishte i qetë”, rrëfen Lifshitz.

Një video e regjistruar nga kamerat e sigurisë të Hamasit pothuajse në të njëjtën kohë, më 10 tetor, dhe e gjetur nga ushtria izraelite disa muaj më vonë, tregon Sinwarin duke ndjekur gruan dhe tre fëmijët e tij përmes një tuneli të ngushtë dhe duke u zhdukur në errësirë.

Kjo ishte pamja e fundit e njeriut që nisi luftën në Gazë. 

Sipas zyrtarëve shëndetësorë të Gazës, 41,000 palestinezë, kryesisht civilë, janë vrarë në një reagim shkatërrues izraelit që ka rrafshuar pjesën më të madhe të territorit, duke dëbuar 90% të popullsisë nga shtëpitë e tyre dhe duke sjellë 2.3 milionë njerëz në prag të urisë. Pas gjithë kësaj, objektivi kryesor i bombardimeve izraelite ka mbetur i lirë dhe me sa duket i padëmtuar.

Përgatitja e gjatë e Sinwarit

Gjuetia gati njëvjeçare për Sinwar ka përfshirë një përzierje të teknologjisë së përparuar dhe forcës brutale, pasi ndjekësit e tij janë treguar të përgatitur të bëjnë çdo gjë, duke përfshirë shkaktimin e shumë viktimave civile, për të vrarë liderin e Hamasit dhe për të shkatërruar rrethin e ngushtë të tij. 
Gjuetarët janë një grup pune i oficerëve të inteligjencës, njësive të operacionit special nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF), inxhinierëve ushtarakë dhe ekspertëve të mbikëqyrjes, nën ombrellën e Agjencisë Izraelite të Sigurisë, e njohur më gjerësisht me inicialet e saj hebraike ose akronimin Shabak.

Personalisht dhe institucionalisht, ky ekip po kërkon arsyet për dështimet e sigurisë që lejuan të ndodhte sulmi i 7 tetorit. Por, pavarësisht motivimit të tyre, ata deri më tani nuk kanë arritur të zbulojnë cakun e tyre.

"Nëse do të më thoshit kur filloi lufta se më shumë se 11 muaj më vonë ai do të ishte ende gjallë, do ta kisha parë si diçka të mahnitshme”, ka thënë Michael Milshtein, ish-kreu i seksionit të çështjeve palestineze në Inteligjencën Ushtarake izraelite (Aman). “Por mbani mend, Sinwar u përgatit për një dekadë për këtë ofensivë dhe inteligjenca IDF ishte shumë e befasuar nga madhësia dhe gjatësia e tuneleve nën Gazë dhe sa të sofistikuara ishin ato”, ka shtuar ai.

IDF-ja vlerëson se ka 500 km tunele nën Gazë, një qytet i tërë nëntokësor. Një sfidë e dytë e rëndësishme, sipas të paktën disave në strukturat e mbrojtjes, është se Sinwar ka të ngjarë të jetë rrethuar me mburoja njerëzore.

“Për shkak të pengjeve, ne jemi shumë të kujdesshëm me atë që po bëjmë. Besoj se nëse nuk do të kishte kufizime të tilla, do ta kishim pasur më lehtë”, thotë Ram Ben-Barak, një ish-zëvendësdrejtor i Mossad.

Pavarësisht nëse Sinwar ka apo jo një unazë mburojash njerëzore rreth tij, prania e mundshme e pengjeve nuk e ka penguar IDF-në të hedhë bomba jashtëzakonisht të fuqishme prej 900 kg në strehëzat e dyshuara të Hamasit në javët e fundit. 

Nga dy qëllimet kryesore të luftës, qeveria Netanyahu vendos shkatërrimin e Hamasit mbi shpëtimin e pengjeve.

Nuk ka mungesë të ekspertizës midis gjuetarëve të Sinwar. Vrasjet në shënjestër kanë qenë një taktikë thelbësore e ushtrisë izraelite që nga themelimi i shtetit. Që nga Lufta e Dytë Botërore, Izraeli ka vrarë më shumë njerëz se çdo vend tjetër në botën perëndimore.

Yahalom, një seksion i veçantë brenda Korpusit të Inxhinierisë Luftarake, ka më shumë përvojë në luftimin e tuneleve se çdo vend i ngjashëm në ushtritë perëndimore dhe ka qasje në radarët më të avancuar të SHBA-së për depërtimin në tokë. Njësia 8200 e inteligjencës së sinjaleve klandestine është një lider global në luftën elektronike dhe ka përgjuar komunikimet e Hamasit për dekada të tëra.

Braktisja e komunikimit

Agjencia izraelite e sigurisë “Shin Bet” ka humbur shumë nga burimet e saj në Gazë pasi Izraeli u tërhoq nga territori në vitin 2005, por punoi shumë për të rindërtuar rrjetin e saj të informatorëve pasi Izraeli filloi pushtimin tokësor tetorin e kaluar, duke rekrutuar edhe nga flukset e dëshpëruara të palestinezëve që iknin nga sulmi.

Pavarësisht aftësive të kësaj force, ajo i është afruar kapjes së Sinwarit vetëm një herë, në një bunker nën qytetin e tij të lindjes, Khan Younis, në fund të janarit. Komandanti i arratisur i luftës kishte lënë pas veshje dhe më shumë se 200,000 funte në tufa kartëmonedhash. Kjo u pa nga disa si një shenjë paniku, megjithëse udhëheqësi i Hamasit u vlerësua në fund të ishte larguar disa ditë përpara se forcat izraelite ta bastisnin bunkerin.

Supozimi i bërë nga gjurmuesit e Sinwarit është se ai ka kohë që e ka braktisur përdorimin e komunikimit elektronik, i vetëdijshëm për aftësitë dhe teknologjinë që zotërojnë ndjekësit e tij. Nuk ishte vetëm hebraishtja që Sinwar studioi në burgun izraelit, por edhe zakonet dhe kultura e armikut të tij.

"Ai me të vërtetë i kupton instinktet bazë dhe ndjenjat më të thella të shoqërisë izraelite”, ka thënë Milshtein, tani në Qendrën “Moshe Dayan” në Universitetin e Tel Avivit. 
“Jam shumë i sigurt se çdo lëvizje që ai bën bazohet në kuptimin e tij për Izraelin”, ka shtuar ai. 

Sinwar ende komunikon me botën e jashtme, megjithëse me vështirësi të dukshme. Negociatat e gjata për një armëpushim në Kajro dhe Doha shpesh janë ndërprerë ndërsa mesazhet dërgohen te dhe nga komandanti i nëntokës. Një mundësi e fortë është që Sinwar të përdorë korrierë për të qëndruar në komandë, të tërhequr nga një grup i vogël dhe në tkurrje i ndihmësve që ai beson, duke filluar me vëllain e tij Mohammed, një komandant i lartë ushtarak në Gazë.

Është shpresa e ekipit që synon Sinwarin që nevoja për kontakt me korrierët, për të lëshuar urdhra dhe për të kontrolluar negociatat për pengjet, do të mundësojë përfundimisht zhbërjen e tij, ashtu si një korrier i udhëhoqi gjurmuesit amerikanë për disa vite në strehën e Osama bin Ladenit në Abbottabad të Pakistanit.

Besohet se ishte një korrier ai që i udhëhoqi “gjuetarët” izraelitë për kokën më të madhe të luftës deri më tani. Në orën 10:30 të mëngjesit të 13 korrikut, Mohammed Deif, komandanti veteran i Hamasit, i cili kishte kryesuar listën e më të kërkuarve të Izraelit që nga viti 1995, doli nga një strehë pranë një kampi për personat e zhvendosur në al-Mawasi për të marrë pak ajër me një toger të afërt, Rafa'a Salame. Brenda një çasti, të dy burrat u vranë nga bombat e hedhura nga avionët luftarakë izraelitë, të paktën, sipas rrëfimeve të IDF-së, së bashku me shumë palestinezë. Hamasi këmbëngul se Deif është ende gjallë, por që atëherë ai nuk është parë më.

Gabimi që nuk duhet përsëritur

Shumë nga strukturat izraelite të sigurisë dënuan atë që ata e panë si një mundësi historike të humbur në shtator të vitit 2003, kur kishin aeroplanë gati për të bombarduar një shtëpi ku e gjithë udhëheqja e Hamasit po mbante një takim. Pas një debati të furishëm në zinxhirin e komandës ushtarake, forcat ajrore përdorën një raketë precize të gjuajtur në dhomën e supozuar të takimit, në vend që të rrafshonin të gjithë ndërtesën me një breshëri bombash, nga shqetësimi për viktimat civile. Ata zgjodhën dhomën e gabuar dhe udhëheqësit e Hamasit mbijetuan. 

Deri në korrik të këtij viti, gjasat për të vrarë një numër të madh civilësh nuk ishin më pengesë. Në shënjestrimin e Deif, forcat ajrore përdorën bomba 2000 paundë, pikërisht ato armë që administrata Biden kishte ndaluar së dërguari në maj, për shkak të forcës së tyre shkatërruese pa dallim. Izraeli thuhet se hodhi tetë prej tyre më 13 korrik. Nëntëdhjetë palestinezë në afërsi u vranë dhe rreth 300 u plagosën.

Është e mundur që të arrihet një marrëveshje përmes së cilës Sinwar do të shkojë në mërgim dhe disa thonë se ai tashmë mund të jetë përtej kufirit, duke u fshehur në një tunel në anën egjiptiane të kufirit me Rafahun. Kjo do të binte në kundërshtim me urtësinë konvencionale për zellin ideologjik të një njeriu që u ngrit në rangun e Hamasit si ekzekutuesi i informatorëve të dyshuar. 

"Vlerësimi im personal është se gjasat e këtij opsioni janë shumë të ulëta”, ka thënë Milshtein, puna e të cilit në shërbimin e inteligjencës ushtarake Aman ishte të studionte Sinwar dhe udhëheqës të tjerë të Hamasit. 
“Është në ADN-në e tij bazë të qëndrojë në Gazë dhe të luftojë deri në vdekje. Ai do të preferojë të vdesë në bunkerin e tij”, ka shtuar ai.

Ben-Barak, ish-zëvendës shefi i Mossad (agjenci izraelite e spiunazhit), pajtohet me këtë. 

“Unë nuk mendoj se ai do të kalojë në Egjipt, sepse në momentin që njerëzit e dinë se ai nuk është në Gazë, i gjithë operacioni do të shembet, morali i tij e kështu me radhë. Kjo është arsyeja pse unë nuk mendoj se ai do ta bënte këtë. Ai nuk është frikacak”, është shprehur Ben- Barak. 

Vdekja ose kapja e Sinwarit padyshim që do të përshëndetej si një sukses i madh ushtarak nga qeveria e Benjamin Netanyahut, e cila e ka bërë shkatërrimin e "aftësive ushtarake dhe qeverisëse" të Hamasit një qëllim kryesor të luftës. 

“Kur ta kapim, situata do të jetë shumë më e mirë, ndoshta për disa javë. Pas kësaj do të vijë dikush tjetër. Është një luftë ideologjike, jo një luftë për Sinwarin”, ka thënë Ben-Barak.
“Pas pothuajse 50 vjetësh atentate, ne e kuptojmë se kjo është një pjesë themelore e lojës.

Ndonjëherë është e nevojshme të vritet një udhëheqës shumë i shquar. Por kur filloni të mendoni se do të jetë një ndryshim i lojës dhe se një organizatë ideologjike do të shembet sepse vrisni një nga udhëheqësit e saj, ky është një gabim total”, është shprehur Milshtein.

Sipas tij, gjithmonë do të jetë dikush që do të vijë si zëvendësim për liderët e vrarë ose të vdekur.

“Jam shumë i sigurt se dikush do ta zëvendësojë, ose në fakt e ka zëvendësuar tashmë, Mohammed Deif, dhe nëse Sinwar vritet, do të jetë dikush tjetër… Nuk mund të krijoni një fantazi. Kjo nuk do ta përfundojë luftën”, ka përfunduar Milshtein.