Botë

GJNP-ja dënon sanksionimin nga SHBA-ja, premton se do të vazhdojë të ofrojë drejtësi

Gjykata Ndërkombëtare Penale

Gjykata Ndërkombëtare Penale, të premten ka reaguar pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për vendosjen e sanksioneve ndaj këtij institucioni, duke premtuar se to të vazhdojë të ofroj “drejtësi dhe shpresë” nëpër botë, raporton “The Guardian”. 

“GJNP dënon lëshimin e urdhrit ekzekutiv nga SHBA-ja që synon të sanksionojë zyrtarët e saj dhe të dëmtojë punën e pavarur dhe të paanshme”, thuhet në reagimin e gjykatës, raporton “Agence France-Presse”. 

“Gjykata qëndron e vendosur me personelin e saj dhe premton se do të vazhdojë të ofrojë drejtësi dhe shpresë për miliona viktima të pafajshme të krimeve rreth botës”, thuhet tutje në reagimin e gjykatës me seli në Hagë. 

Ky reagim erdhi pasi Trumpi ka vendosur sanksione ndaj kësaj gjykate pas akuzave se ka bërë “veprime të paligjshme dhe të pabaza që synojnë Amerikën dhe aleatin tonë të ngushtë, Izraelin”.

Sanksionet përfshijnë kufizime financiare dhe të vizave për individë e familje të tyre që ndihmojnë në hetimet e GJNP-së ndaj qytetarëve amerikanë apo aleatëve.