Botë

GJND-ja thotë se pushtimi i territoreve palestineze nga Izraeli është i paligjshëm

Vendimi i GjND-së mund të ketë pasoja për Izraelin lidhur me pushtimin e Bregut Perëndimor, Jerusalemit Lindor dhe Gazës

Vendimi i GjND-së mund të ketë pasoja për Izraelin lidhur me pushtimin e Bregut Perëndimor, Jerusalemit Lindor dhe Gazës

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ka thënë të premten se pushtimi i territoreve palestineze nga Izraeli është kundër të drejtës ndërkombëtare, në një opinion historik, shkruan BBC.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka thënë se Izraeli duhet të ndalojë aktivitetin e ndërtimit të vendbanimeve për hebrenjtë në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Jerusalemin Lindor dhe t’i japë fund okupimit “të paligjshëm të këtyre zonave dhe Rripit të Gazës sa më shpejt të jetë e mundur”.

Në përgjigje, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se gjykata kishte marrë “vendim të gënjeshtrës”.

Opinioni këshillimor i GJND-së nuk është ligjërisht i detyrueshëm, por ende ka peshë të rëndësishme politike. Është hera e parë që GJND-ja jep qëndrim mbi ligjshmërinë e pushtimit 57-vjeçar të Izraelit mbi Palestinën.

GJND-ja, me seli në Hagë të Holandës, e ka shqyrtuar këtë çështje që nga fillimi i vitit të kaluar, me kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Gjykatës iu kërkua në mënyrë specifike të jepte pikëpamjen mbi politikat dhe praktikat e Izraelit ndaj palestinezëve dhe mbi statusin ligjor të pushtimit.

Duke treguar gjetjet e gjykatës, presidenti i GJND-së, Nawaf Salam, u shpreh se ka gjetur se “prania e vazhdueshme e Izraelit në territorin e pushtuar palestinez është e paligjshme”.

“Shteti i Izraelit është i detyruar t’i japë fund pranisë së paligjshme në territorin e pushtuar palestinez sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë ai.

Sipas Salamit, tërheqja e Izraelit nga Rripi i Gazës në vitin 2005 nuk solli fundin e pushtimit të asaj zone, sepse izraelitët ende ushtrojnë kontroll efektiv mbi të.

GJND-ja ka thënë se Izraeli duhet të evakuojë të gjithë hebrenjtë që ka dërguar në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemi Lindor, si dhe të paguajë dëmshpërblime për palestinezët për dëmet e shkaktuara nga okupimi.

Izraeli ka ndërtuar rreth 160 vendbanime ku strehohen rreth 700 mijë hebrenj në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor që nga viti 1967. Gjykata ka thënë se vendbanimet janë të paligjshme. Izraeli ka këmbëngulur se nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. 

Në opinionin këshillimor, GJND-ja ka thënë se “politikat dhe praktikat e Izraelit përbëjnë aneksimin e pjesëve të mëdha të territorit të pushtuar palestinez, i cili është kundër të drejtës ndërkombëtare”.

“Izraeli nuk kishte të drejtë për sovranitet mbi asnjë prej territoreve të pushtuar”, shkruan në vendimin e GJND-së.

Izraeli pretendon sovranitetin mbi të gjithë Jerusalemin, pjesën lindore të të cilit e pushtoi në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967. Izraelin e konsideron Jerusalemin si kryeqytet - diçka që nuk pranohet nga shumica dërrmuese e komunitetit ndërkombëtar.

Ndër konkluzionet e tjera të gjera, gjykata ka thënë se kufizimet e Izraelit ndaj palestinezëve në territoret e pushtuara përbëjnë “diskriminim sistemik bazuar, ndër të tjera, në racë, fe ose origjinë etnike”. Gjykata ka thënë gjithashtu se Izraeli kishte shfrytëzuar ilegalisht burimet natyrore të palestinezëve dhe kishte shkelur të drejtën e tyre për vetëvendosje.

Kryeministri i Izraelit lëshoi ​​me shpejtësi një deklaratë duke hedhur poshtë atë që kishte vendosur gjykata.

“Populli hebre nuk është pushtues në tokën e vet – as në kryeqytetin tonë të përjetshëm Jerusalemin, as në trashëgiminë tonë stërgjyshore të Judeas dhe Samarias (Bregu Perëndimor). Asnjë vendim i gënjeshtrës në Hagë nuk do ta shtrembërojë këtë të vërtetë historike, dhe në mënyrë të ngjashme, ligjshmëria e vendbanimeve izraelite në të gjitha pjesët e atdheut tonë nuk mund të kontestohet”, thuhet në deklaratën e Netanyahut.  

Por gjetjet e gjykatës u mirëpritën nga palestinezët.

Hussein Al Sheikh, sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), grupi kryesor ombrellë i palestinezëve, e quajti opinionin e GJND-së “fitore historike për të drejtat e popullit palestinez dhe të drejtën për vetëvendosje”.

“Dhe kolapsi dhe disfata e projektit të judaizimit përmes zhvendosjes dhe praktikave raciste kundër një populli nën pushtim. Komuniteti ndërkombëtar duhet të respektojë opinionin e drejtësisë ndërkombëtare dhe ta detyrojë Izraelin t'i japë fund pushtimit të territoreve palestineze”, ka thënë Al Sheikh.

Gjetjet e GJND-së tani shkojnë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila do të vendosë se si të përgjigjet, duke përfshirë opsionin e miratimit të një rezolute. Kjo do të ishte domethënëse dhe mund të përbëjë katalizator për negociatat dhe të vendosë parametrat ligjorë për zgjidhje të negociuar me dy shtete në të ardhmen.

Ky rast është i ndarë nga një çështje tjetër aktive e paraqitur në GJND nga Afrika e Jugut, duke akuzuar Izraelin për kryerjen e gjenocidit kundër palestinezëve në luftën në Gaza, e cila ka nisur nga 7 tetori.