Botë

Gjermania zotohet të rritë rolin ushtarak në NATO

Gjermania

Foto: Associated Press

NATO-ja mund të llogarisë në Berlin për të rritur kontributin e tij në mbrojtjen e Evropës, pasi aleanca atlantike përballet me një të ardhme më të pasigurt se 70 vjet më parë kur Gjermania është bërë anëtare, ka thënë të hënën presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Duke folur në një ceremoni në selinë e NATO-s në Bruksel për të shënuar përvjetorin e anëtarësimit, Steinmeier u përpoq të qetësonte aleatët e tronditur nga ato që ai i quajti ndryshime epokale gjeopolitike, raporton Reuters.

"Sot, me luftën e Putinit kundër Ukrainës që po vazhdon me forcë të plotë, dhe me Shtetet e Bashkuara që ushtrojnë presion të ashpër ndaj aleatëve të saj evropianë, Gjermania është në një pozicion vendimtar”, ka thënë ai duke iu drejtuar aleatëve.

"Ne e morëm mesazhin, ju mund të mbështeteni tek ne... Ne do të përpiqemi ta bëjmë Gjermaninë, si ushtrinë dhe infrastrukturën e saj, shtyllën kurrizore të mbrojtjes konvencionale në Evropë”, ka shtuar ai. 

Ekonomia më e madhe e Evropës ka miratuar së fundmi planet për një rritje masive të shpenzimeve teksa Friedrich Merz përgatitet të marrë detyrën si kancelar i ri konservator i Gjermanisë, në maj.

Plani fiskal përfshin 500 miliardë euro për një fond të posaçëm për infrastrukturën dhe planifikon të heqë kryesisht investimet e mbrojtjes nga rregullat e brendshme që kufizojnë huamarrjen.

Rritja drastike e shpenzimeve të Berlinit për mbrojtje është shkaktuar nga shqetësimet në rritje se

Evropa nuk mund të varet plotësisht nga Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen e saj, pas shumë kritikave nga presidenti Donald Trump dhe anëtarët e administratës së tij.

Gjermania Perëndimore i është bashkuar NATO-s në vitin 1955 gjatë Luftës së Ftohtë. Gjermania Lindore u bë pjesë e aleancës pas ribashkimit gjerman në 1990.