Gjermanët votojnë sot në zgjedhjet nacionale. Zgjedhjet po mbahen në një periudhë kur vendi është përballur me një stagnim të ekonomisë dhe po ashtu me një seri të sulmeve vrasëse që e ka bërë migracionin dhe sigurinë temë kyçe gjatë fushës, shkruan “BBC”. 

Friedrich Merz, 69-vjeçar, po shihet si favorit për t’u bërë kancelar i ardhshëm. Zgjedhjet në Gjermani po përcillen me vëmendje nga Evropa dhe SHBA-ja. 

Merz ka premtuar t’i zgjidhë shumicën e problemeve në katër vjet. 

Nëse Kristiandemokratët (CDU) e Merzit fitojnë, ai duhet të bëjë koalicion me së paku një parti, me shumë gjasë me Socialdemokratët e Olaf Scholzit. 

Rreth 59.2 milionë gjermanë kanë të drejtë vote, dhe derisa miliona kanë votuar tashmë, sondazhet thonë se 20 për qind ende mbesin të pavendosur para ditës së zgjedhjeve. 

Qendrat e votimit mbyllen në ora 18:00 dhe rezultatet preeliminare pritet të dalin gjatë mbrëmjes. 

Merz: Rusia e SHBA-ja po gjejnë gjuhë të përbashkët, Evropa po pret Gjermaninë

1 muaj më parë / 23 shk 2025 22:50
Friedrich Merz

Photo: Associated Press

Friedrich Merz që të dielën i fitoi zgjedhjet në Gjermani ka thënë se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë gjetur gjuhë të përbashkët “mbi kokat e Ukrainës dhe mbi ato të Evropës”.

Derisa shpalli fitoren me koalicionin e konservatorëve, Merz, ka shkruar në rrjetin social X se e ka me prioritet themelimin e një qeverie që do t’i përfaqësonte të gjithë gjermanët, derisa shtoi se “të gjithë janë të kthyer kah Gjermania”.

“Përshtypja ime gjatë ditëve të fundit është se Rusia dhe Amerika po gjejnë gjuhë të përbashkët – përmbi kokat e Ukrainës, e rrjedhimisht edhe mbi ato të Evropës. Prandaj, të gjithë po e kthejnë vëmendjen kah Gjermania. Sa të shpejtë janë gjermanët që pas këtij rezultati të komplikuar zgjedhor, të formojnë një qeveri? Për mua, kjo tash është prioritet”, ka shkruar Merz.

Ai ka shtuar se Gjermania ka nevojë që sa më parë ta formojë qeverinë.

“Duhet të bëhemi të aftë të veprojmë ndërkombëtarisht”, ka shtuar ai, derisa shtoi se Evropa po e pret Gjermaninë.

Aleanca konservatore e Gjermanisë CDU/CSU, e udhëhequr nga Friedrich Merz, i ka marrë rreth 29 për qind të votave. Dalja në zgjedhjet e shkurtit u konsiderua masive.

Fituesi i zgjedhjeve në Gjermani kërkon të bëhet sa më parë qeveria

1 muaj më parë / 23 shk 2025 21:34
Friedrich Merz

Kandidati për kancelar të Gjermanisë nga koalicioni CDU/CSU, Friedrich Merz, ka deklaruar se rezultati zgjedhor është shumë i qartë, duke shtuar se po tenton të përpiqet sa më parë një qeveri.

Pasi u tha se dalë i pari në zgjedhje me rreth 29% të votave, Merz shtoi se synon të bëjë një qeveri që t'i përfaqësojë të gjithë votuesit. Ai tha se nuk e kishte fshehur faktin se donte një partner të vetëm koalicioni, ka raportuar TheGuardian të dielën.

Merz e ka hedhur poshtë koalicionin me AfD-në që në këto zgjedhje shënuan rritje të votës.

Fitoren e Merzit, presidenti amerikan, Donald Trump, e ka cilësuar “ditë të madhe për Gjermaninë e SHBA-në”.

“Ashtu si SHBA-të, populli i Gjermanisë u lodh nga agjenda e paarsyeshme, veçanërisht për energjinë dhe emigracionin, që ka mbizotëruar për kaq shumë vite”, tha Trump në një postim në platformën e tij “Truth Social”.

“Mendoj se mund të jemi krenarë për faktin që kemi punuar së bashku kaq ngushtë në kohë të vështira. Uroj që rezultati të kishte qenë më i mirë, por ne mund të luftojmë për rezultate më të mira zgjedhore në të ardhmen dhe do të njohim përgjegjësinë për vendin tonë dhe do të vazhdojmë të punojmë në përputhje me rrethanat”, tha Scholz.

Konservatorët e Merzit fitojnë zgjedhjet, AfD-ja rritet bindshëm

1 muaj më parë / 23 shk 2025 20:01
Friedrich Merz

Aleanca konservatore CDU/CSU, e udhëhequr nga Friedrich Merz, i ka fituar zgjedhjet e përgjithshme të së dielës në Gjermani, me 28.5–29 për qind të votave të siguruara, ka treguar rezultatet preliminare.

Me 19.5–20 për qind të votave, e  dyta është renditur partia e së djathtës ekstreme “Alternativa për Gjermaninë” (AfD), e cila e ka dyfishuar rezultatin krahasuar me zgjedhje e vitit 2021.

Bazuar në shifrat e publikuara nga transmetuesit publikë, ARD dhe ZDF, partia e tretë në zgjedhje ka dalë ajo Socialdemokrate e kancelarit aktual, Olaf Scholz.

Pas publikimit të rezultatit nga dy mediet më të besueshme në Gjermani, Merzi ka paralajmëruar për përgatitjet që të hënën t’ia nisë punën për formimin e qeverisë së re federale.

“Do të doja ta shprehja respektin tim për rivalët politikë”, ka thënë ai, duke iu referuar njerëzve nga radhët e partive centriste. “Ishte fushatë shumë e nxehtë. Tani duhet të bisedojmë bashkë dhe sa më parë që është e mundur ta formojmë qeverinë ashtu që Gjermania të mund të ndërmarrë veprime në mënyrë që t’i bëjmë gjërat siç duhet në shtëpi, të jemi të pranishëm në Evropë dhe të sigurohemi që bota të shohë se Gjermania ka sërish një qeveri të qëndrueshme”.

Por ngritja dramatike e AfD-së do të përbëjë ndërlikime për formimin e Qeverisë së re federale, prej së cilës pritet që t’i prijë përgjigjes së Evropës karshi kërcënimeve globale në rritje.

Kandidatja për kancelare e kësaj partie, Alice Weidel, ka festuar për rezultatin e arritur në zgjedhje bashkë me zyrtarë tjerë të AfD-së, përfshirë politikanin e njohur për qëndrime ekstremiste, Bjorn Hocke, i cili u pati dënuar për përdorimin e sloganit nazist “Alles fur Deutschland” gjatë fjalimeve të fushatës.

“Është sukses historik për ne – rezultati ynë më i mirë ndonjëherë”, tha Weideli për ARD-në. “Ia zgjasim dorën tonë të bashkëpunimit CDU-së. Përndryshe, ndryshimi nuk do të jetë i mundur në Gjermani”.

Megjithëkëtë, asnjë parti nuk ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në formimin e Qeverisë me AfD-në anti-emigracion e pro-Kremlin, e cila ka gjeneruar mbështetje nga i besuari i presidentit amerikan, Donald Trump – Elon Musk, dhe nga nënpresidenti, JD Vance.

Presidenti Trump e ka përshëndetur rezultatin e zgjedhjeve të Gjermanisë.

“Pak a shumë sikurse në SHBA, populli i Gjermanisë është lodhur nga agjenda të paarsyeshme, veçmas për energji dhe emigracion”, ka shkruar ai në Truth Social. “Është ditë e madhe për Gjermaninë”.

Por Merz ka shpërfaqur gjuhë të matur, duke thënë se Trumpi ka “bërë të qartë se qeveria (e tij) është krejtësisht indiferente karshi fatit të Evropës” dhe se Gjermania duhet të presë për të parë “nëse do të jemi në gjendje të flasim për NATO-n në formën e saj aktuale”, kur aleanca të takohet në samitin e ardhshëm të qershorit.

Ai ka shtuar se nuk ka hequr dorë nga shpresa se Ukraina do të përfshihet në negociatat me Rusinë për të ardhmen e saj, mbase me “intervenimin e Kongresit amerikan” në të mirë të Kievit e karshi çdo përpjekjeje për përjashtim nga Trumpi.

E kancelari në largim, Olaf Scholz, ka shfaqur performancën më të keqe të socialdemokratëve që pas Luftës së dytë botërore, duke siguruar rreth 16 për qind të votave, sipas projeksioneve. Ai e ka udhëhequr qeverinë tripartiake deri në rrëzimin e saj në nëntorin e shkuar shkaku i përplasjeve rreth prioriteteve në shpenzime, vetëm pak orë pas rizgjedhjes së Trumpit.

Rezultatin e zgjedhjeve Scholzi e ka quajtur “të hidhur” dhe “disfatë”. Duke folur para mbështetësve në Berlin, Scholz ka thënë se është koha që “të pranojmë se kemi humbur zgjedhjet” dhe e ka uruar Merzin për fitoren.

Votuesit i kanë ndëshkuar edhe partnerët më të vegjël të Scholzit në koalicion, Të Gjelbrit, të cilët siguruan rreth 13.5 për qind të votave, si dhe Demokratët e Lirë pro-biznes (FDP), që nuk pritet ta kalojnë pragun prej 5 për qind për përfaqësim në Parlament.

Zgjedhjet e së dielës janë dominuan nga shqetësimet për stagnimin shumëvjeçar të ekonomisë më të madhe të Evropës dhe me presionin për të frenuar migracionin. Ato u zhvilluan në një sfond të pasigurisë në rritje për të ardhmen e Ukrainës dhe aleancën e Evropës me Shtetet e Bashkuara. Gjermania është vendi më i populluar në BE-në 27-vendesh dhe një nga anëtaret kryesore në NATO. Ajo ka qenë furnizuesi i dytë më i madh i armëve për Ukrainën. Pas SHBA-së, do të jetë qendrore në formësimin e përgjigjes së kontinentit ndaj sfidave të viteve të ardhshme, duke përfshirë politikën konfrontuese të jashtme dhe tregtare të administratës Trump.

Më shumë se 59 milionë njerëz në shtetin prej 84 milionë banorësh kanë pasur të drejtë të zgjidhnin 630 anëtarët e dhomës së ulët të parlamentit, Bundestagut, të cilët do të zënë vendet e tyre nën kupolën e xhamit të ndërtesës historike të Reichstagut të Berlinit.

Dalja në zgjedhje ka qenë 83 për qind, në krahasim me 76.6 për qind më 2021.