Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka deklaruar të dielën se sanksionet kundër zyrtarëve sirianë përgjegjës për krimet e luftës duhet të mbeten në fuqi, por bëri thirrje për një "qasje të zgjuar" për të ofruar lehtësim për popullatën siriane pas përmbysjes së presidentit Bashar Assad muajin e kaluar.
Annalena Baerbock ka folur me gazetarët pasi mbërriti në Arabinë Saudite për një konferencë mbi të ardhmen e Sirisë, ku morën pjesë diplomatë të lartë evropianë dhe të Lindjes së Mesme, raporton AP.
Gjermania është një nga disa vende që vendosi sanksione ndaj qeverisë së Assadit për shtypjen brutale të disidencës. Këto dënime mund të pengojnë rimëkëmbjen e Sirisë pas gati 14 vjetëve të luftës civile që vrau rreth 500,000 njerëz dhe zhvendosi gjysmën e popullsisë së paraluftës prej 23 milionësh.
"Sanksionet kundër pasardhësve të Assadit që kryen krime të rënda gjatë luftës civile duhet të mbeten në fuqi. Por Gjermania propozon të ketë një qasje të zgjuar ndaj sanksioneve, duke ofruar lehtësim të shpejtë për popullatën siriane. Sirianët tani kanë nevojë për një dividend të shpejtë nga tranzicioni i pushtetit”, ka deklaruar ajo.
Baerbock ka njoftuar për një ndihmë shtesë për Sirinë, në vlerë prej 50 milionë eurosh, për ushqim, strehimore emergjente dhe kujdes mjekësor, duke theksuar betejat e vazhdueshme të miliona sirianëve të zhvendosur nga lufta.