Botë

Gjermania pritet t’i mbajë zgjedhjet më 23 shkurt

Olaf Scholz

Foto: Associated Press

Gjermania do të mbajë zgjedhje të reja më 23 shkurt, 11 javë pas rënies së koalicionit qeverisës së kancelarit, Olaf Scholz, me burimet që thonë të martën se Social Demokratët, Të Gjelbrit dhe konservatorët e kanë arritur kompromisin në kohë, raporton Reuters.

Partitë e opozitës kanë dashur të votonin që nga janari, duke paralajmëruar se Gjermania rrezikon të mbetej pa lider, në kohë të krizës ekonomike dhe pasi fitorja e zgjedhjeve amerikane nga Donald Trumpi paraqet sfida të reja diplomatike.

Por Scholzi ka paralajmëruar se votimi i janarit fillimisht i kërkuar nga Friedrich Merz, lideri i opozitës konservatore, do t’i mundonte autoritetet elektorale gjatë pushimeve dhe viruseve të stinës së dimrit dhe të rrezikojë t’i lërë partitë të papërgatitura.

“Është e rëndësishme që t’i mbajmë zgjedhjet e reja sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Carsten Linnemann, sekretari i përgjithshëm i Demokratëve Katolikë të Merzit, para televizionit publik.

Për të nisur zgjedhje të reja, Scholzi duhet ta thërrasë dhe ta humbasë votëbesimin në Parlament.

Koha e mbajtjes së votëbesimit ende s'dihet, edhe pse mediat lokale kanë thënë se mund të mbahet në mes të dhjetorit.

Scholzi, i cili tani udhëheq një Qeveri të pakicës me mbështetje të të Gjelbërve, shpreson të sigurojë mjaft mbështetje të opozitës për t’i kaluar ligjet që e mbrojnë Gjyqin Kushtetues nga e djathta ekstreme dhe ta furnizojë Ukrainën para se të largohet nga zyra.

Qeveria e tij është shembur, pas disa muajsh grindjesh mes dy partive të mbetura dhe partnerit të tyre të dikurshëm të koalicionit, neoliberalëve Demokratë të Lirë, të cilët kërkuan shkurtime të shpenzimeve në një shkallë që partnerët e tyre të majtë nuk ishin të gatshëm ta pranonin.