Gjermania pritet të vendosë mbi blerjen e dy fregatave të tjera javën e ardhshme, në vlerë prej 3.18 miliardë euro, raporton Reuters.
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, ka njoftuar për planet e qeverisë për të porositur fregatat, gjë që kërkon miratimin e Parlamentit.
Fregatat F126 përbëjnë një element thelbësor të të ashtuquajturës “Zeitenwende” (Pika e Kthimit) të Gjermanisë, dhe politikës së mbrojtjes të iniciuar nga kancelari Olaf Scholz.
Fregata e parë e tipit të ri pritet t’i dorëzohet marinës gjermane në vitin 2028. Ajo do të jetë e aftë të godasë objektivat mbi dhe nën ujë.
Nëse miratohen, dy fregatat shtesë do të dorëzohen në vitin 2033 dhe 2034.
Me një gjatësi prej 166 metrash, F126-a 10 mijë tonësh do të jetë anija më e madhe luftarake në marinën gjermane.