Botë

Gjermania pritet të bëhet sot me koalicion qeverisës

Friedrich Merz

Foto: Associated Press

Konservatorët gjermanë dhe socialdemokratët e qendrës së majtë janë në rrugën e duhur për të arritur një marrëveshje për të formuar një koalicion qeverisës rreth mesditës të së mërkurës, kanë thënë për Reuters njerëz të njohur me negociatat.

Fituesi konservator i zgjedhjeve, Friedrich Merz dhe ekipi i tij do të mblidhen përsëri me Social Demokratët, ose SPD, të udhëhequr nga Lars Klingbeil, mëngjesin e së mërkurës, me synimin për të kapërcyer dallimet e fundit të mbetura, kanë thënë burimet.

Merz dhe Klingbeil kanë planifikuar një konferencë shtypi pasdite, në varësi të arritjes së një pakti përfundimtar rreth mesditës, kanë shtuar burimet.

Partnerët e mundshëm të koalicionit janë vënë nën presion për të çuar përpara bisedimet për shkak të turbulencave globale të shkaktuara nga tarifat gjithëpërfshirëse të importit, të shpallura nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të cilat mund të nxisin inflacionin dhe kanë ngritur frikën e një recesioni global.

Merz: Gjermania do të ketë një qeveri të fortë dhe efektive

1 j. më parë / 9 pri 2025 15:41
Friedrich Merz

Photo: Associated Press

Kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka deklaruar se koalicioni qeverisës që ka krijuar me socialdemokratët, ka “një plan të fortë” i cili do të dërgojë “sinjal të qartë” si për gjermanët ashtu edhe për partnerët evropianë se "Gjermania do të ketë një qeveri të fortë dhe efektive".

Duke paraqitur skicën e marrëveshjes së arritur, Merzi ka folur të mërkurën për fokusin e tij në sjelljen e më shumë investimeve me ndryshime në taksat e korporatave dhe energjisë, dhe stimuj që kërkojnë të nxisin ekonominë.

Ai ka folur edhe për politikën e migracionit, duke premtuar "një kurs të ri" me një sërë politikash më të rrepta që synojnë "t'i japin fund migrimit të parregullt" nëpërmjet kontrolleve më të rrepta kufitare, shtrëngimit të rregullave të azilit dhe shtytjes për riatdhesimin e atyre që qëndrojnë ilegalisht në Gjermani, raporton The Guardian.

Ai ka thënë gjithashtu se qeveria e re do të pezullojë rregullat e bashkimit familjar dhe do të rrisë numrin e vendeve të klasifikuara si të sigurta. Ai gjithashtu ka lënë të kuptohet për ndryshime në rregullat e shtetësisë. 

Teksa ka folur për sigurinë, Merz ka renditur politikat e reja të propozuara, duke përfshirë ruajtjen e të dhënave dhe ka thënë se do të krijojë një Këshill të ri Federal të Sigurisë, me bazë në zyrën e kancelarit, për të menaxhuar krizat kombëtare.

Ai ka premtuar gjithashtu shpenzime më të larta për mbrojtjen dhe sigurinë dhe ka lënë të kuptohet për një propozim për të forcuar shërbimin ushtarak mbi baza vullnetare.

Merz arrin marrëveshje për qeveri me socialdemokratët

1 j. më parë / 9 pri 2025 12:36
Friedrich Merz

Photo: Associated Press

Liderët e partive konservatore dhe socialiste gjermane thuhet se kanë rënë dakord për një marrëveshje koalicioni për të formuar qeverinë e ardhshme, raportojnë mediat gjermane.

Agjencia gjermane e shtypit dpa ka raportuar se liderët e dy partive do të marrin pjesë në një konferencë të përbashkët shtypi në orën 15:00 për të paraqitur rezultatin e bisedimeve të tyre.

Por marrëveshja do të duhej të miratohej me një votim të 357,000 anëtarëve të Socialdemokratëve (SPD), gjë që pritet të zgjasë të paktën dhjetë ditë, që do të thotë se kreu i CDU-së, Friedrich Merz nuk ka gjasa të konfirmohet zyrtarisht si kancelari i ardhshëm gjerman përpara majit.

Mediat gjermane raportojnë se CDU/CSU do të marrë ministrinë e Brendshme dhe atë të Jashtme, duke marrë përsipër punën kritike për zgjidhjen e krizës së migracionit të vendit dhe gjetjen e vendit të Gjermanisë në botë, pavarësisht pasigurisë globale që rrethon administratën e re amerikane.

Ndërkaq, SPD-ja, e cila ka drejtuar qeverinë në largim të Olaf Scholzit, do të mbajë ministrinë e Financave dhe atë të Mbrojtjes, duke lënë ministrin popullor të Mbrojtjes Boris Pistorius edhe në kabinetin e ardhshëm.

Arritja e koalicionit qeverisës po ndodh në kohën kur partia e ekstremit të djathtë, “Alternativa për Gjermaninë” ka dalë e para në një sondazh, për herë të parë në histori.