Botë

Gjermania po shqyrton rikthimin e deportimeve në Afganistan pas sulmit me thikë

Sulmi me thikë në Gjermani

Sulmi me thikë në Gjermani

Foto: Associated Press

Gjermania është duke e menduar deportimin në Afganistan të migrantëve afganë që paraqesin kërcënim për sigurinë, ka deklaruar të martën ministrja e Brendshme, Nancy Faeser.

Një vendim i tillë po shqyrtohet pas një sulmi me thikë të premten në Mannheim, në jugperëndim të Gjermanisë, në të cilin u plagos edhe një polic, i cili vdiq të hënën pasi nuk arriti t’u mbijetonte plagëve, raporton Reuters. 

Një lëvizje e tillë do të ishte kontroversale pasi Gjermania nuk i kthen në shtetin e tyre, njerëzit që janë të kërcënuar me vdekje. Ajo e ka ndalë deportimin në Afganistan, pasi talibanët e morën pushtetin, në vitin 2021. Për më tepër, arritja e një marrëveshjeje me talibanët, disa prej zyrtarëve të të cilëve janë nën sanksione ndërkombëtare, shihet gjerësisht si problematike.

Sidoqoftë, vetëm pak ditë para zgjedhjeve evropiane, në të cilat e djathta ekstreme pritet të dalë e fuqishme, ministrja Faeser ka deklaruar se është duke e shqyrtuar këtë çështje që disa muaj dhe se planifikon që ta marrë një vendim sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Është e qartë për mua se njerëzit që paraqesin kërcënim potencial për sigurinë e Gjermanisë duhet të deportohen menjëherë”, u ka thënë ajo gazetarëve, duke shtuar se kjo përfshinë dërgimin e njerëzve në Afganistan dhe Siri. 

"Unë jam gjithashtu mjaft e bindur se interesat e sigurisë së Gjermanisë tejkalojnë qartë interesat e atyre që preken”, ka shtuar ajo, duke thënë se qeveria tashmë po përpiqej të përshpejtonte dëbimet në vendet e tjera.

Sulmi me thikë të premten nga një 25-vjeçar me origjinë nga Afganistani la të plagosur rëndë gjashtë persona, në një ngjarje anti-islame në Mannheim të premten. Një polic ka ndërruar jetë nga plagët e marra. Sulmuesi, i cili u qëllua dhe u plagos, nuk jetonte ilegalisht në Gjermani.

Në ditët e fundit, Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë e ka përdorur sulmin për të bërë thirrje për një politikë më të ashpër të emigrantëve.

LEXO EDHE: