Botë

Gjermania planifikon ta përgjysmojë ndihmën ndaj Ukrainës

Lufta në Ukrainë

Lufta në Ukrainë

Foto: Associated Press

Gjermania po planifikon ta përgjysmojë ndihmën ushtarake për Ukrainën vitin e ardhshëm, nga rreth 8 miliardë euro në rreth 4 miliardë euro, sipas një projektbuxheti të miratuar nga qeveria.

Ministri i Financave, Christian Lindner, ka thënë se financimi i Ukrainës ishte "i sigurt për të ardhmen e parashikueshme" për shkak të një skeme të grupit G7 për të mbledhur 50 miliardë dollarë nga interesat e aseteve të ngrira ruse, raporton BBC.

Gjermania është donatori i dytë më i madh ushtarak i Ukrainës, pas SHBA-së. Në vitin 2024, buxheti i Berlinit për Kievin është vendosur në rreth 7.5 miliardë euro.

Ulja e planifikuar e ndihmës vjen mes frikës në Ukrainë dhe aleatëve të saj evropianë se fondet e SHBA-së mund të shkurtohen apo edhe të ndalen nëse Donald Trumpi fiton presidencën në zgjedhjet e nëntorit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka filluar pushtimin e plotë të Ukrainës, në shkurt 2022.

Edhe pse ndihma ushtarake për Ukrainën pritet të reduktohet, buxheti i mbrojtjes për vitin 2025 do të rritet me 1.3 miliardë euro në 53.25 miliardë euro.

Kjo nënkupton më pak se 6 miliardë euro të cilat ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius i kishte kërkuar.

Në përgjithësi, Gjermania po planifikon të përmbushë objektivin prej 2% të shpenzimeve të PBB-së për mbrojtjen, siç kërkohet nga aleanca e NATO-s.