Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius bëri të ditura të mërkurën planet për legjislacion të ri, që do të ndihmonte në plotësimin e radhëve të varfëruara të forcave të armatosura, për të forcuar aftësitë mbrojtëse të vendit.
Pistorius ka thënë se projektligji i propozuar do t'i lejonte qeverisë t'u dërgonte letra të gjithë të rinjve që mbushin 18 vjeç, që i bie rreth 400,000 çdo vit, duke pyetur për vullnetin dhe aftësinë e tyre për të shërbyer në ushtri, raporton AP.
Sipas ligjit, ata që marrin letrën duhet të plotësojnë pyetjet. Më pas ushtria do të ftonte të interesuarit për të kryer një kontroll mjekësore, dhe do të zgjidhte më të kualifikuarit për të shërbyer në ushtri për një periudhë 6-23 muaj.
Duke folur me gazetarët në Berlin, Pistorius shpjegoi se nivelet e kërcënimit kanë ndryshuar nga ato që ishin disa vite më parë.
“Rusia po bën një luftë kundër Ukrainës për dy vjet e gjysmë, ajo jo vetëm që po vë në pikëpyetje rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, por po e shkatërron atë. Kjo është një situatë e re kërcënimi”, ka deklaruar Pistorius.
Fushata është pjesë e përpjekjeve për të rritur numrin e forcave aktive në 203,000 nga shifra aktuale që është pak më pak se 181,000. Gjermania kishte mbi 500,000 trupa gjatë Luftës së Ftohtë.
Nëse projektligji kalon, shërbimi i ri ushtarak do të ishte ende vullnetar dhe larg rekrutimit të detyrueshëm për të rinjtë, i cili u pezullua në Gjermani në vitin 2011, pas 55 vjetësh. Që atëherë, në vend nuk ka pasur shërbim të detyrueshëm ushtarak dhe civil.
Akti i rekrutimit i Gjermanisë ende përcakton se shërbimi i detyrueshëm ushtarak për burrat mund të rikthehet nëse parlamenti shpall një gjendje të jashtëzakonshme për mbrojtjen.
Gratë që mbushin 18 vjeç do të pranonin gjithashtu letrat, sipas Pistorius, por nuk do të jenë të detyruara të përgjigjen, pasi kushtetuta e Gjermanisë nuk parashikon shërbimin e detyrueshëm për to.
Pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, duke çuar në një nga luftërat më brutale në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, thirrjet janë rritur në mënyrë të vazhdueshme në Gjermani për të rifutur një lloj shërbimi ushtarak për t'u përgatitur më mirë për luftërat e mundshme të ardhshme.