Botë

Gjermania me rritje të numrit të shtetasve të rinj, shumë sirianë të natyralizuar

Pasaporta gjermane

Pasaporta gjermane

Foto: Associated Press

Gjermania ka parë vitin e kaluar një rritje tjetër të madhe në numër të njerëzve që fitojnë shtetësinë, pasi një numër i madh njerëzish nga Siria ndihmuan në shtyrjen e natyralizimit në nivelin më të lartë që nga viti 2000, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të martën.

Rreth 200,100 njerëz kanë fituar shtetësinë gjermane në vitin 2023, ka bërë të ditur Zyra e Statistikave Federale. Kjo nënkupton një rritje prej rreth 31,000 apo 19%, krahasuar me një vit më parë, raporton AP.

Rritja pasoi një ngritje prej 28% në vitin 2022, e cila gjithashtu u nxit nga një numër i madh i sirianëve të natyralizuar, pasi një numër në rritje i njerëzve që emigruan në Gjermani midis viteve 2014 dhe 2016 plotësuan kërkesat për shtetësi. 

Vitin e kaluar, 75,500 njerëz nga Siria u natyralizuan - grupi më i madh i vetëm, që përbën 38% të totalit – sipas zyrës së statistikave. Ky numër u rrit me 56% krahasuar me vitin 2022.  Ata kishin kaluar mesatarisht 6.8 vjet në Gjermani përpara se të bëheshin shtetas. 

Rreth 10,700 shtetas të Turqisë dhe Irakut u bënë shtetas gjermanë vitin e kaluar, duke i vendosur këto grupe në vendin e dytë. 

Kërkesat për të fituar shtetësinë gjermane kërkojnë të pasurit një punë në Gjermani dhe provë për aftësinë për të mbajtur veten financiarisht. 

Sipas ligjit që ishte vitin e kaluar, njerëzve u kërkohej që të jetonin në Gjermani për të paktën tetë vjetët e fundit, ndonëse kjo nuk aplikohej për bashkëshortet dhe fëmijët. Periudha mund të reduktohej në gjashtë vjet për njerëzit që tregonin “arritje më të veçanta të integrimit” si njohuri shumë të mira të gjuhës, arritje profesionale ose angazhim qytetar”.

Këto rregulla janë fshirë nën legjislacionin e ri, që do të hyjë në fuqi nga 27 qershori. Sipas tij, njerëzit do të mund të kërkojnë shtetësinë pas pesë vjetësh jetese në Gjermani, apo pas tri vitesh në rastet e “arritjeve speciale të integrimit”. 

Po ashtu, fëmijët e lindur në Gjermani do të fitojnë automatikisht shtetësinë, nëse njëri nga prindërit ka qenë banor legal për pesë vjet, nga tetë vjet sa është tani.