Në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, kancelari Olaf Scholz, ka shprehur shqetësimin e tij ndaj rrjeteve neonaziste që janë ngritur në Gjermani. Ai ka thënë se miliona gjermanë kanë dalë në rrugë në mbrojtje të demokracisë.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka shprehur shqetësimin ndaj rritjes së prirjeve të ekstremit të djathtë në vendin e tij, 79 vjet pas çlirimit të kampit famëkeq të Auschwitcit.
Shtetet kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, në të cilën kujtohen 6 milionë hebrenjtë dhe grupe të tjera të vrara nga nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre.
“Kjo është arsyeja pse demokracia jonë bazohet në angazhim qendror: 'Kurrë më'. Kurrë më përjashtimi, kurrë më ideologjia racore dhe dehumanizimi. Kurrë më diktaturë. Sigurimi i kësaj është detyra qendrore e shtetit tonë. Kjo është arsyeja pse ne jemi duke luftuar çdo formë të antisemitizmit, propagandës terroriste dhe mizantropisë”, ka thënë kancelari Olaf Scholz në një fjalim të shtunën.
Ndërkohë, protestat kundër partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) kanë marrë vrull, pas njoftimeve se dy anëtarë të lartë të partisë iu bashkuan një takimi, për të diskutuar planet për dëbimin masiv të qytetarëve me origjinë të huaj. Demonstratat kanë hyrë në javën e tretë.
“Shteti ynë për momentin është në këmbë, miliona qytetarë kanë dalë në rrugë për demokracinë, për respekt dhe humanizëm, për njëri-tjetrin. Është kohezioni i demokratëve që e bën demokracinë tonë më të fuqishme”, ka thënë kancelari gjerman.
Protestuesit kërkojnë të frenojnë mbështetjen për AfD-në, parti që renditet e dyta në nivel kombëtar dhe e para në tri shtetet lindore të Gjermanisë, që mbajnë zgjedhje këtë vit.
Kancelari mirëpriti gjithashtu vendimin historik për të shkurtuar fondet për partinë radikale të krahut të djathtë ‘Die Heimat’, çka ka ndezur debat nëse një hap i ngjashëm mund të ndërmerret kundër partisë nacionaliste AfD.
Duke iu referuar vendimit, kancelari gjerman e ka cilësuar si vendim shumë të mirë.
Mediumi gjerman “Correctiv”, gjatë javës së kaluar ka raportuar për takimin e së djathtës ekstreme në muajin nëntor. Në këtë takim morën pjesë figura nga Lëvizja Identitare dhe AfD-ja.
Anëtari i kësaj lëvizjeje, austriaku Martin Sellner, kishte prezantuar vizionin për deportimin nga Gjermania.
Gjatë javës së kaluar, mijëra persona kanë dalë vetëm në rrugët e Hamburgut për të protestuar kundër së djathtës ekstreme. Sipas organizatorëve, 130 mijë persona kanë marrë pjesë në këtë protestë. Ndërkaq, policia gjermane, ka deklaruar se 50 mijë persona morën pjesë në këtë protestë.
Protestuesit kanë bërë thirrje kundër partisë së krahut të djathtë “Alternativës për Gjermaninë”.
Edhe kancelari Olaf Scholz, ka thënë se ekstremistët e djathtë janë duke e sulmuar demokracinë.
“E them qartë dhe ashpër se ekstremistët e djathtë po sulmojnë demokracinë tonë. Ata duan ta shkatërrojnë kohezionin tonë. Në konferencën sekrete, këta ekstremistë diskutuan se si mund të largojnë miliona njerëz nga shteti ynë. Familjet që kanë jetuar këtu për vite e dekada. Fqinjët, kolegët dhe miqtë tanë, burra e gra që punojnë në spitalet tona. Ky mendim shkakton të dridhura”, ka thënë Scholzi në adresimin e 19 janarit.