Gjermania dhe Turqia kanë ngrehur shpatat mbi donerin, me Berlinin që e ka kundërshtuar përpjekjen e Ankarasë për t’i dhënë këtij ushqimi statusin e mbrojtur të Bashkimit Evropian - siç është për shembull pica napolitane.
Lufta mbi ushqimin filloi në prill kur Turqia aplikoi që ta regjistronte emrin doner si “specialitetin tradicional” të vetin në Evropë, që nënkupton bërjen e mishit sipas metodave dhe specifikave të dizajnuara nga shteti që merr statusin, raportoi Guardian.
Gjermania argumenton se kjo do të krijonte pengesa të mëdha burokratike dhe do të rriste çmimet e ushqimit më të popullarizuar. Berlini vendosi veton pak para përfundimit të afatit të mërkurën.
Nëse aplikimi i Ankarasë është i suksesshëm, vetëm mishi i viçit dhe qengjit “i prerë horizontalisht në feta me trashësi 3-5 milimetra” mund të shitet si doner. Fetat e pulës mund të jenë më të trasha, kur kërkohet doneri me mish shpezësh, ndërsa mishi i bluar do të ndalohej tërësisht.
Vjetërsia e mishit dhe thika për prerje po ashtu do të duhet të plotësojnë specifikat, ashtu si edhe erëzat për marinimin e mishit, thuhet në aplikimin e sponsorizuar nga Federata Ndërkombëtare e Donerit në Stamboll, e cila argumenton se pjata është pjesë kyçe e “trashëgimisë kulinare” të Turqisë.
Llogaritet se një në tre gjermanë ha të paktën një doner në muaj, por ai po bëhet i vështirë për kuletën e tyre pasi çmimi i mishit është ngritur gati dyfish.
Si Turqia ashtu edhe Gjermania kanë pretendime për donerin dhe në të dyja shtetet konsumohet tepër.
Të dyja kanë gjashtë muaj për të gjetur kompromis, përndryshe Komisionit Evropian do t’i duhet më pas të vendosë mbi mosmarrëveshjen. Edhe pse Turqia nuk është në Bashkimin Evropian, shtetet e treta mund t’i regjistrojnë produktet për mbrojtje në bllok.