Tre adoleshentë të dyshuar për planifikim të një sulmi ekstremist islamik, janë arrestuar në Gjermaninë Perëndimore, kanë bërë të ditur prokurorët të premten.
Treshja – dy vajza të cilat ishin 15 dhe 16 vjeç, dhe një djalë 15 vjeç, janë nga vende të ndryshme të republikës North Rhine-Westphalia, shteti më i populluar i Gjermanisë, raporton AP.
Ata janë arrestuar pasi një gjykatë lëshoi urdhra gjatë fundjavës së Pashkëve, thanë prokurorët në Dusseldorf.
Të arrestuarit dyshohet se e kishin deklaruar veten të përgatitur për të kryer “një sulm terrorist me motiv islamist”, dhe se e kishin planifikuar atë, kanë thënë prokurorët në një deklaratë.
Prokurorët nuk kanë specifikuar se deri ku kishte shkuar plani i tyre, duke thënë se nuk mund të japin detaje të tjera për shkak të moshës së të dyshuarve dhe derisa hetimi po vazhdon.
Të tre janë në paraburgim në pritje të akuzave të mundshme për deklarim të gatshëm për të kryer vrasje dhe përgatitje të një akti të rëndë dhune.
Agjencia gjermane e lajmeve dpa, duke cituar burime të paidentifikuara sigurie, raportoi se adoleshentët kishin krijuar një grup bisedash dhe se ata ende nuk kishin hartuar një plan konkret sulmi me një kohë dhe vend.