Botë

Gjermania arreston anëtarin e dyshuar të ISIS-it që kishte aplikuar për t’u bërë roje në “Euro 2024”

Policia gjermane

Policia gjermane

Foto: Associated Press

Polica gjermane ka arrestuar një terrorist të dyshuar të ISIS-it ndërsa ai po përpiqej që të bëhej pjesë e stafit të kampionatit evropian të futbollit “Euro 2024”.

Hetuesit e antiterrorit kapën Soufian T, 23 vjeç, i cili thuhet se kishte aplikuar për të marrë një leje si roje sigurie për "ngjarje anësore" jashtë stadiumit të futbollit, raporton The Sun.

Kur autoritetet kontrolluan kërkesën e tij për t'u bërë anëtar i stafit, ata zbuluan se sigurimi i shtetit gjerman e kishte konsideruar Soufianin një islamist.

Policët e departamentit të policisë së Këlnit, së bashku me hetuesit e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Bonit dhe policisë federale, arrestuan shtetasin gjermano-maroken-polak me nënën dhe motrën e tij në aeroportin Këln-Bon.

Po ashtu janë sekuestruar një numër celularësh dhe para në vlerë prej 2,500 eurosh.

Kampionati nis në Gjermani më 14 qershor.

Zyrtarët e sigurimit të shtetit zbuluan gjithashtu se ai kishte aplikuar për dy akreditime në Rhineland-Pfalz për ngjarjet e mëdha Rock am Ring dhe 24 Hour Nürburgring.

Hetimet e mëtejshme nga policia federale zbuluan se terroristi i dyshuar kishte rezervuar një biletë vajtje-ardhje për një udhëtim nga Gjermania në Stamboll në maj, duke nxitur edhe më tej dyshimet e tyre.

Pas arrestimit, banesa e Soufian T u kontrollua dhe u konfiskuan telefona të tjerë celularë, pajisje për ruajtjen e të dhënave dhe kompjuterë.