Botë

Gjermania aprovon planin për rritje të shpenzimeve ushtarake dhe të huas

Friedrich Merz

Planet e qeverisë së ardhshme të Gjermanisë për të lejuar shpenzime më të larta të mbrojtjes, duke shtendosur ligjet strikte të huas dhe për të zhvilluar një fond të madh për infrastrukturë me synim të rritjes së ekonomisë më të madhe në Evropë, të premten kanë kaluar votimin final në dhomën e lartë të Parlamentit. 

Dhoma e lartë, e cila përfaqëson qeveritë e 16 landeve të Gjermanisë, ka aprovuar masat e propozuara nga kancelari i ardhshëm, Friedrich Merz, me dy të tretën e nevojshme. Ato u miratuan pas aprovimit të së martës nga dhoma e ulët e Parlamentit, ka raportura "AP". 

Lideri konservator Merz, i cili ka fituar zgjedhjet e vitit të kaluar, dhe partnerët e tij të qendrës së majtë nga koalicionit në ardhje javët e fundit kanë bërë përpjekje të reja për të forcuar ushtrinë gjermane, e cila sipas tyre ka qenë e neglizhuar.

Pakoja përjashton nga rregullat e huave shpenzimet në mbrojtje dhe siguri, duke përfshirë agjencitë e inteligjencës dhe ndihmën për Ukrainën, që kalon 1% të Bruto Produktit Vendor. Po ashtu parashikon krijimin e një fondi 500 miliardë eurosh, të financuar nga huat, i cili do t’i dedikohet zhvillimit të infrastrukturës. 

Me insistimin e të Gjelbërve, 100 miliardë euro nga fondi i investimeve do të shkojnë për shpenzime të lidhura me klimën. Pakoja po ashtu do t’u japë qeverive të vendeve më shumë liri për të marrë hua. 

Gjermania miraton pakon e ndihmës për Ukrainën në vlerë prej 3 miliardë eurosh

4 j. më parë / 21 mar 2025 20:17
Friedrich Merz

Photo: Associated Press

Komiteti për buxhet i Gjermanisë ka hapur rrugën për paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 3 miliardë eurosh, pasi Friedrich Merz – kancelari në ardhje –po shtyn përpara rritjen e investimeve në mbrojtje.

Të dy dhomat e Parlamentit gjatë kësaj jave miratuan planin e konservatorëve të Merzit dhe Socialdemokratëve, të cilët po zhvillojnë bisedime për formimin e Qeverisë së re gjermane.

Planet e Merzit për shpenzime të miratuara nga Dhoma e Lartë e Parlamentit më 21 mars mundësojnë krijimin e një fondi prej 500 miliardë eurosh për shpenzime në infrastrukturë dhe lehtësim të rregullave të huas, duke mundësuar shpenzime më të larta në mbrojtje.

Ndërkaq, vendimi i Komitetit për buxhet u konfirmua nga ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock.

Në paketën prej 3 miliardë eurosh përfshihen 2.547 miliardë nga Ministria e Financave që do t’i jepen Ukrainës këtë vit, të plotësuara edhe nga kontribute tjera, përfshirë një rimbursim nga Mekanizmi Evropian i Paqes.
Ministria gjermane e Financave po ashtu planifikon të autorizojë 8.252 miliardë euro për ndihmë ushtarake për Ukrainën për periudhën nga viti 2026 deri më 2029, duke bërë që totali i ndihmës të arrijë në 11 miliardë euro.

“Ishte koha” që Komiteti parlamentar të hapte rrugën për përdorimin e fondeve dhe Gjermania tani po vendos ritmin për mbështetjen e Evropës për Ukrainën, tha Baerbock përmes një deklarate.

“Situata ushtarake e Ukrainës është bërë më e vështirë në muajt e fundit”, shtoi ajo.

Anëtarët e Bashkimit Evropian, udhëheqësit e të cilëve u mblodhën këtë javë për të diskutuar ndihmën për Ukrainën, janë nën presion që të shfaqin angazhimin e tyre për Ukrainën e cila po përballet me pushtimin rus, pasi pasiguria po rritet lidhur me të ardhmen e garancive të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e Donald Trumpit./REL