Botë

Gjermani i dënuar me vdekje në Bjellorusi falet nga presidenti

Rico Krieger

Një gjerman i dënuar me vdekje në Bjellorusi është falur nga presidenti Alexander Lukashenko, vetëm disa ditë pas lajmit për rastin e tij që u bë publik.

30-vjeçari Rico Krieger u shpall fajtor për terrorizëm në një rast që u mbajt me dyer të mbyllura, por u bë publik javën e kaluar.

Krieger, i cili punonte me Kryqin e Kuq, u akuzua se kishte vendosur eksplozivë në shina me urdhra të inteligjencës ukrainase. Askush nuk u lëndua nga shpërthimi, raportoi Guardian.

Në fillim të javës ai u shfaq në televizion duke i lutur autoritetet gjermane që të intervenonin.

Nuk kishte prova se Krieger ishte fajtor, përveç dëshmisë së tij. KGB-ja, si njihen shërbimet sekrete bjelloruse, është akuzuar vazhdimisht për tortura dhe fabrikim të dëshmive. Bjellorusia është e vetmja në Evropë që ende e ka dënimin me vdekje.

Lukashenko të martën e ka falur Kriegerin. Është e mundur që Krieger të jetë pjesë e një shkëmbimi më të madh të burgosurish.