Botë

Gjermanët më së shumti të shqetësuar për ekonominë, thotë hulumtimi

Gjermania

Foto: Associated Press

Shumica e gjermanëve janë të shqetësuar për ekonominë dhe çmimet e larta në vendin e njohur si ekonomia më e madhe e Evropës, ka treguar një sondazh të hënën përpara zgjedhjeve të 23 shkurtit.

Anketa nga kompania gjermane R&V me 1000 gjermanë, e realizuar nga 23-25 ​​janari tregon se 70% e tyre shqetësohen për rritjen e kostos së jetesës, nga 57% në anketën e mëparshme të realizuar në verë, raporton Reuters.

“Inflacioni mund të ketë rënë, por çmimet absolute kanë mbetur të larta”, ka thënë Isabelle Borucki nga Philipps University of Marburg, një këshilltare në studim.

Nga të anketuarit, 68% i frikësohen një rënieje ekonomike, nga 48% në sondazhin e mëparshëm.

Rritja e konkurrencës nga jashtë, kostot e larta të energjisë, normat e larta të interesit dhe perspektivat e pasigurta ekonomike kanë shkaktuar ndikimin e tyre në ekonominë gjermane, e cila u tkurr në vitin 2024 për dy vjet radhazi dhe është kthyer në një nga shqetësimet kryesore të votuesve.

Zgjedhjet u thirrën pasi koalicioni trepalësh i kancelarit, Olaf Scholz me të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë u shemb në nëntor. Ai tani drejton një qeveri të pakicës vetëm me socialdemokratët e tij dhe të gjelbërtit.

Mosmarrëveshjet rreth mënyrës se si të shpëtohet ekonomia më e madhe e Evropës kontribuan në rënien e koalicionit, teksa situata e rëndë është reflektuar në industrinë e njohur të automobilave të vendit.

Më shumë se gjashtë në 10 persona në Gjermani i konsiderojnë politikanët si në qeveri ashtu edhe në opozitë si të mbingarkuar nga detyrat e tyre.

"Besimi i gjermanëve te politikanët është tmerrësisht i ulët”, ka thënë drejtoresha e studimit Grischa Brower-Rabinoëitsch.

"Shumë njerëz nuk ndjehen më të përfaqësuar, debatet politike shpesh duken jashtë realitetit dhe të nxitura nga kalkulimet politike partiake”, ka shtuar ajo.

Tre në katër gjermanë janë të shqetësuar për polarizimin e shoqërisë, nga 48% sa ishin në verë. Rritja i atribuohet një sërë vrasjesh të profilit të lartë në hapësira publike nga njerëz me prejardhje emigrante dhe nga mënyra se si reaguan palët ndaj tyre, sipas saj.

Migrimi interpretohet si problemi qendror politik, ka bërë të ditur Broëer-Rabinoëitsch.

"Kjo krijon imazhe të armikut që mund të çojë në ndarje të mëtejshme”, është shprehur ajo.