Botë

Gjeneva përmbytet nga vërshimet pas reshjeve të shiut dhe stuhive të forta

Qyteti Morges në Zvicër

Qyteti Morges në Zvicër

Foto: Associated Press

Ekipet e pastrimit dhe pronarët e bizneseve po inspektonin dëmet të mërkurën, pasi stuhitë e papritura goditën Zvicrën jugperëndimore një natë më parë, duke shkaktuar vërshime nëpër rrugë dhe duke ndaluar përkohësisht trafikun ajror në aeroportin e Gjenevës.

Në qytetin buzë liqenit të Morges, një përrua u tejmbush, duke shkaktuar mbytjen e rrugëve të qendrës së qytetit, raporton AP.

Qyteti ka bërë të ditur se askush nuk u lëndua, por rrjedhat e ujit arritën 43 metra kub në sekondë, duke kaluar rekordin 100-vjeçar prej 34 metra kub në sekondë.

Ignace Jeannerat, një zëdhënës i aeroportit të Gjenevës, ka thënë se stuhitë e forta, duke përfshirë goditje rrufeje, goditën një zonë pranë aeroportit dhe më shumë se 50 fluturime hyrëse ose dalëse u anuluan të martën vonë. Ndërkaq, një numër tjetër fluturimesh u devijuan në aeroporte të tjera.

Ofruesi i shërbimit të navigimit ajror “SkyGuide” ka thënë se bodrumi i zyrave të tij në Gjenevë ishte përmbytur, duke shkaktuar një dështim të një sistemi ftohjeje që detyroi një mbyllje të përkohshme të operacioneve të tij pak pas orës 22:00.