Botë

Gjenerali amerikan: Rreziku i një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme është zvogëluar

Izrael

Gjenerali i lartë amerikan C.Q. Brown ka thënë se rreziku i një lufte më të gjerë në Lindjen e Mesme është zvogëluar disi, pasi Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer zjarr pa përshkallëzim të mëtutjeshëm, por Irani akoma paraqet rrezik të madh.

Brown ka thënë se sulmi i Hezbollahut ishte një prej dy sulmeve kryesore kërcënuese kundër Izraelit javëve të fundit. Irani gjithashtu ka kërcënuar me sulm, si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së liderit të Hamasit në Teheran muajin e kaluar.

Kur është pyetur nga Reuters nëse rreziku i luftës është minimizuar, Brown është përgjigjur: “Disi, po”.
“Ka pasur dy gjëra që e dije se do të ndodhnin. Njëra veçse ka ndodhur. Tani pritet të shihet se si do të luajë rol e dyta”, ka thënë Brown. “Si përgjigjet Irani do të diktojë edhe kundërpërgjigjen e Izraelit, që do të diktojë nëse do të ketë konflikt më të gjerë apo jo”.

Brown gjithashtu ka paralajmëruar se ka rrezik nga aleatët militantë të Iranit nga Iraku, Siria dhe Jordani, që kanë sulmuar trupat amerikane si dhe Houthit e Jemenit, që kanë shënjestruar dërgesat në Detin e Kuq e madje kanë lëshuar dronë mbi Izraelin.

“Dhe këta ndërmarrin veprime veçmas sepse nuk janë të kënaqur – sidomos Houthit”, ka thënë Brown, duke e quajtur grupin “të paparashikueshëm”.

Irani është zotuar se do të kundërpërgjigjet ashpër ndaj vrasjes së liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh. Sipas Brownit, çfarëdo plani që ka Ushtria e Iranit, do të jetë në dorë të liderëve politikë iranianë ta marrin vendimin.

“Ata duan të bëjnë diçka për të dhënë një mesazh, por gjithashtu mendoj se ata nuk duan të ndërmarrin një veprim që do të shkaktonte një konflikt më të gjerë”, ka shtuar Brown.