Botë

Gjendet i vdekur një turist gjerman në Greqi

Ishulli i Kretës, Greqi

Ishulli i Kretës, Greqi

Një alpinist gjerman është gjetur i vdekur në ishullin e Kretës në Greqi, ka bërë të ditur të hënën departamenti grek i Zjarrfikësve.

Ky është rasti i fundit i fataliteteve me turistët gjatë një periudhe të shkurtër, ku po mbizotërojnë temperaturat e larta në vendin bregdetar, raporton The Guardian.

Burri ishte shpallur i zhdukur të dielën dhe u gjet pranë një përroske në jug të ishullit, ka bërë të ditur departamenti i Zjarrfikësve në një deklaratë.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Greqisë, ka thënë se zona ku u gjet 68-vjeçari ishte aq e vështirë sa nuk mund të arrihej me helikopter dhe trupi duhej të lëvizte nga shpëtimtarët në këmbë.

Ky është rasti i gjashtë ku vizitorët e huaj gjenden të vdekur në Kretë dhe destinacione të tjera të njohura ishullore greke, pas vdekjes së prezantuesit të BBC TV, Michael Mosley, trupi i të cilit u gjet në ishullin Symi, më 9 qershor.

Një burrë belg 80-vjeçar u gjet i vdekur pranë qytetit antik të Lato në Kretën lindore disa ditë më vonë, i pasuar nga një holandez 55-vjeçar i cili u gjet i vdekur në veturën e tij në buzë të një shkëmbi, në juglindje të ishullit më 19 qershor, sipas ERT, transmetuesi shtetëror grek.

Një holandez 74-vjeçar u gjet i vdekur në ishullin Samos më 15 qershor, i pasuar nga një 55-vjeçar amerikan pranë ishullit të Korfuzit të nesërmen.

Përveç kësaj, dy gra franceze të moshës 73 dhe 64 vjeç janë zhdukur në ishullin Sikinos për më shumë se një javë, ndërsa një 59-vjeçar amerikan në ishullin e Amorgos mbetet i pagjetur që nga 11 qershori.

Autoritetet e shëndetit publik të Greqisë këtë muaj lëshuan paralajmërime për rrezikun e ekspozimit gjatë temperaturave të larta, duke këshilluar që të mos qëndrohet jashtë gjatë orëve më të nxehta të ditës.

LEXO EDHE: