Botë

Gjendet i vdekur në Emiratet e Bashkuara Arabe një izraelit i zhdukur

Zvi Kogan

Një shtetas izraelit i zhdukur në Emiratet e Bashkuara Arabe është gjetur i vdekur, kanë bërë të ditur autoritetet izraelite të dielën.

Vdekja e tij është cilësuar si një "akt terrorist antisemitik", raporton CNN.

Zvi Kogan, një shtetas izraelito-moldave dhe përfaqësues i Chabad, një lëvizje fetare e hebrenjve Hasidikë me komunitete, sinagoga dhe institucione të tjera në shumë vende, ishte zhdukur që nga pasditja e së enjtes.

Në një deklaratë të përbashkët të dielën, Zyra e Kryeministrit izraelit dhe Ministria e Punëve të Jashtme thanë se trupi i Kogan ishte gjetur nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe.

“Vrasja e Tzvi Kogan, me kujtim të bekuar, është një akt i tmerrshëm terrorist antisemitik. Shteti i Izraelit do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të sjellë para drejtësisë autorët e këtij krimi”, thuhet në deklaratë.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, e dënoi vrasjen si një "akt frikacak dhe të neveritshëm të terrorit antisemitik".

Ministria e Brendshme e Emirateve të Bashkuara Arabe konfirmoi të shtunën se "kishte marrë një raport nga familja e një shtetasi moldav të quajtur Zvi Kogan, duke thënë se ai ishte i zhdukur dhe jashtë kontaktit që nga e enjtja e kaluar" dhe se një hetim ishte duke u zhvilluar.

Kogani ka punuar së bashku me emisarët e tjerë të Chabad për të krijuar dhe zgjeruar judaizmin në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai themeloi qendrën e parë arsimore hebreje në rajon.