Meksikë

Gjenden eshtra në banesën e tij, arrestohet personi që dyshohet të jetë vrasës serik i grave

Policia - Meksikë

Policia e Meksikës ka filluar hetimet ndaj një burri i cili po dyshohet të jetë vrasës serik, pasi në apartamentin që ai kishte marrë me qira u gjetën eshtra, sharrë, gjak dhe karta identiteti të grave të zhdukura. 

Prokurorët e qytetit të Meksikës nuk e kanë bërë publik identitetin e të arrestuarit, i cili po dyshohet të ketë vrarë dy gra, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Akuzat janë vijimësi e akuzave për një sulm të datës 16 prill, ku i dyshuari abuzoi seksualisht dhe më pas mbyti një vajzë 17- vjeçare. 

Për shkak se i dyshuari jetonte afër vendit të ngjarjes, ai u identifikua dhe u kap shpejt nga autoritetet policore.

Pas kontrollit në apartamentin që ai kishte marrë me qira aty pranë, hetuesit gjetën prova tronditëse që, sipas prokurorit të qytetit, tregojnë qartë se i dyshuari është vrasës serik i grave. 

Prokurori Ulises Lara, ka njoftuar se gjatë kontrollit, autoritetet kanë gjetur material biologjik, pa e specifikuar nëse ishte mish, njolla gjaku, eshtra, një sharrë, telefona celularë dhe kartat e identitetit të grave të zhdukura.