Botë

Gjenden dy të vdekur në pajisjet e uljes së një aeroplani në SHBA

Aeroplani JetBlue

Foto: Associated Press

Trupat e dy personave janë gjetur në pjesët e uljes të një aeroplani të JetBlue në aeroportin e Fort Lauderdale në Florida, ka deklaruar kompania, njofton agjencia “AP”.

Trupat u gjetën gjatë një kontrolle rutinë të hënën mbrëma pasi ishte ulur aeroplani, ka deklaruar JetBlue. 

“Rrethanat se si ata kishin arritur të hynin në atë pjesë të aeroplanit janë nën hetime, kjo është situatë shumë e dhimbshme, ne jemi të vendosur të punojmë nga afër me autoritetet për t’i mbështetur përpjekjet e tyre për ta kuptuar se si ka ndodhur kjo”, ka deklaruar nga kompania. 
Aeroplani Airbus ishte nisur nga aeroporti John F. Kennedy në New York rreth orës 20:00 me kohë lokale.

Policia lokale është duke e hetuar, se si  personat kanë mundur të hyjnë në atë pjesë të aeroplanit, njëkohësisht edhe mjekët mjekoligjorë janë duke kryer autopsinë për të zbuluar arsyen e vdekjes, ka raportuar CBS. 

Edhe një incident i ngjashëm  ka ndodhur dy javë më parë kur një trup ishte gjetur në pjesët e uljes të një aeroplani të United Airlines, i cili ateroi në Havai në natën e Krishtlindjes. Zyrtarët nuk kanë dhënë detaje se si ata janë futur në atë pjesë.

Pjesët e uljes janë një pjesë e rrezikshme e aeroplanit, duke ekspozuar ata që hynë aty në temperatura ekstreme të ftohta dhe mungesë të oksigjenit. Gjithashtu ata rrezikohen edhe nga shtypja kur pjesët e uljes palosen brenda pas nisjes së aeroplanit.