Gjashtë ushtarë izraelitë kanë pësuar lëndime si pasojë e një zjarri në veri të vendit, që u shkaktua si rezultat i luftimeve me grupin militant libanez, Hezbollah.
Zjarri nuk ka arritur të shuhej që nga e diela, ndonëse u raportua se ishte nën kontroll.
Ushtria izraelite pati njoftuar se kishte dërguar ushtarë dhe pajisje rezervë për të ndihmuar shërbimet e zjarrfikësve të Izraelit për të shuar zjarrin.
Zjarret e shkaktuara nga luftimet janë përhapur në mënyrë sporadike javët e fundit, por zjarri i kësaj jave duket se shkaktoi më shumë dëme.
Autoriteti i Natyrës dhe Parqeve të Izraelit ka bërë të ditur se rreth 2.400 hektarë u dogjën në të gjithë Izraelin verior këtë javë, si rezultat i zjarreve.
Dëme të konsiderueshme janë shkaktuar në disa parqe natyrore që do të duhen vite për t’u rikthyer në gjendjen paraprake, sipas Autoritetit të Natyrës dhe Parqeve.
Një total prej afro 9.900 hektarësh janë djegur që nga fundi i majit si pasojë e zjarreve të shumta, shumë prej të cilave nisën nga raketat dhe predhat e tjera të lëshuara nga Hezbollahu, ka shtuar Autoriteti.
Hezbollahu filloi të lëshonte raketa në Izrael një ditë pas fillimit të luftës në Gaza më 7 tetor, raporton “Associated Press”.
Që atëherë, Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer të shtëna çdo ditë, gjë që e ka shtyrë rajonin në prag të një lufte më të gjerë.