Botë

Gjashtë të vrarë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në Gazën qendrore

Izrael

Foto: Associated Press

Të paktën gjashtë persona janë vrarë, përfshirë dy fëmijë, si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në Gazën qendrore, raporton “Associated Press” të shtunën.

Dy fëmijët e vrarë së bashku me një të rritur, ishin viktima të sulmit që kishte cak një shtëpi në Nuseirat, dhe të paktën tre burra të tjerë, njëri prej të cilëve i veshur me uniformë të Kombeve të Bashkuara, u vranë pranë zonës Maghazi.

Intensifikimi i sulmeve ajrore izraelite vjen në kohën kur bisedimet mbi marrëveshjen e armëpushimit kanë ngecur.

Katër në çdo pesë njerëz në Gaza janë zhvendosur në pjesën qendrore dhe jugore të vendit, si pasojë e ofensivave ushtarake izraelite dhe urdhrave të evakuimit.

Ata po strehohen në kampe të improvizuara me tenda dhe zona urbane të mbipopulluara me njerëz.

Që nga 7 tetori, kur filloi lufta, mbi 38 mijë njerëz janë vrarë nga forcat izraelite në Gaza.

Kufizimet nga ana e Izraelit, luftimet e vazhdueshme dhe prishja e rendit dhe ligjit kanë bllokuar përpjekjet për ofrimin e ndihmave humanitare, duke shkaktuar krizë të urisë në vend.

Gjykata e lartë e OKB-së ka arritur në përfundimin se ekziston “rreziku i mundshëm për gjenocid” në Gaza, një akuzë që Izraeli e mohon fuqishëm.