Një gazetare britanike është zhdukur në Brazil qe 11 ditë. Charlotte Alice Peet, 32-vjeçare, ka komunikuar për herë të fundit me një shok me 8 shkurt, sipas deklaratës së Asociacionit të Korrespodentëve të Huaj për Media (ACIE), me seli në Rio de Janeiro.
Gazetarja më herët ishte në Sao Paulo, duke planifikuar një udhëtim për në Rio de Janeiro. Ajo po kërkonte një vend për të qëndruar pasi një shok i saj nuk kishte mundur ta pranonte në apartamentin e vet. Ditë më vonë familja e saj ka kontaktuar shokun e saj duke treguar se kanë humbur kontaktet me të, ka raportuar “The Guardian”.
Të hënën e kaluar, shoku, i cili nuk kishte dëgjuar nga Peeti, ka raportuar zhdukjen e saj në stacionin e policisë në Rio. Gjithsesi, pasi kontakti i saj i fundit ishte në Sao Paulo, çështja u transferua atje.
Departamenti i sigurisë publike në Sao Paulo ka njoftuar se çështja po hetohet nga hetuesit e njerëzve të zhdukur dhe se Departamenti i vrasjeve dhe mbrojtjes do të ndihmonte në hetime.
Në një intervistë për Sky News, babai i Charlottes, Derekt Peet, ka deklaruar se vajza e tij ka fluturuar nga Gatwick në Londër për në Sao Paulo pa e informuar familjen e saj, edhe pse nuk është e qartë se kur ka udhëtuar ajo.
“Është shumë shqetësuese, por nuk kam çfarë të them më, jam shumë i shqetësuar, por unë thjeshtë nuk e di se çfarë po ndodhë, ne vetëm po mundohemi të bashkojmë pjesët”, ka deklaruar babai i saj.
Peet flet mirë portugalishten dhe ka jetuar në Brazil kohët e fundit, duke punuar si gazetare e pavarur për disa media si “The Independent”, “Times”, “Telegraph” dhe “Al Jazeera”.
Në njoftimin e tij, ACIE u ka bërë apel autoriteteve relevante për të rritur përpjekjet për gjetjen e gazetares britanike sa më shpejtë të jetë e mundur.
Ambasada britanike në Brazil deklaroi se ishte në mbështetje të familjes së gazetares dhe se ishte në kontakt me autoritetet lokale.