Botë

Gazetari amerikan del para gjyqit në Moskë nën akuzat për spiunazh

Evan Gershkovich para gjyqit

Evan Gershkovich para gjyqit

Foto: Associated Press

Gazetari i “Wall Street Journal”, Evan Gershkovich doli para një gjyqi me dyer të mbyllura në Yekaterinburg të Rusisë të mërkurën, 15 muaj pas arrestimit të tij në qytetin rus me akuzat për spiunazh që ai, punëdhënësi i tij dhe qeveria amerikane i mohojnë kategorikisht.

Gazetari 32-vjeçar u shfaq në gjykatë në një kafaz xhami të të pandehurve, me kokën e rruar dhe i veshur me një këmishë me kuadrate blu. Një dry i verdhë ishte ngjitur në kafaz, raporton AP.

Gazetarët u lejuan në sallën e gjyqit për disa minuta para se të mbyllej seanca. Gjithashtu u lejuan shkurtimisht në gjykatë dy zyrtarë konsullorë nga Ambasada e SHBA-së në Moskë, ka bërë të ditur ambasada.

Seanca përfundoi pas rreth dy orësh derisa një seancë e radhës është caktuar për 13 gusht, kanë bërë të ditur zyrtarët e gjykatës.

Jay Conti, nënkryetar ekzekutiv dhe këshilltar i përgjithshëm për “Dow Jones”, botues i Journal, e përshkroi gjyqin si një mashtrim, në një intervistë me Associated Press.

“Ai ishte një gazetar i akredituar që bënte gazetari dhe ky është një gjyq i rremë, akuza false që janë krejtësisht të sajuara”, ka thënë Conti.

I lindur në Amerikë nga emigrantë nga Bashkimi Sovjetik, Gershkovich është gazetari i parë perëndimor i arrestuar me akuza për spiunazh në Rusinë post-sovjetike. Autoritetet arrestuan Gershkovichin kur ai ishte në një udhëtim raportues në Yekaterinburg, në malet Ural, me pretendimin se po mblidhte informacionë sekrete për SHBA-në. 

Pas arrestimit të tij më 29 mars 2023, Gershkovich u mbajt në burgun famëkeq Lefortovo të Moskës. Ai është shfaqur i shëndetshëm gjatë seancave gjyqësore në të cilat apelet e tij për lirim janë refuzuar.