Udhëheqësit e demokracive kryesore të G7-s kanë rënë dakord për një marrëveshje të enjten për të ofruar 50 miliardë dollarë kredi për Ukrainën, duke përdorur interesin nga asetet sovrane ruse të ngrira, raportoi Reuters.
Kjo marrëveshje politike ishte pjesa kryesore e ditës së hapjes së samitit vjetor të liderëve të G7-s, ku mori pjesë për të dytin vit radhazi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ai tha se ka nënshkruar një marrëveshje sigurie 10-vjeçare me Japoninë dhe se Japonia do t'i sigurojë Ukrainës 4.5 miliardë dollarë këtë vit. Zelensky gjithashtu gjatë ditës do të nënshkruajë një marrëveshje të re afatgjate sigurie me Presidentin e SHBA-së, Joe Biden.
Plani i G7-s për Ukrainën bazohet në një hua shumëvjeçare duke përdorur fitime nga rreth 300 miliardë dollarë fonde ruse të sekuestruara.
Detajet teknike do të finalizohen në javët e ardhshme, ka thënë një burim diplomatik i G7-s për Reuters. Burimi, i cili kërkoi të mos përmendet, tha se fondet shtesë do të mbërrinin deri në fund të këtij viti.
Qëllimi i marrëveshjes është të sigurohet që ajo të mund të funksionojë për vite, pavarësisht se kush është në pushtet në çdo shtet të G7-s.