Edhe pse Hong-Kongu cilësohet si një ndër vendet më të sigurta të botës, autoritetet lokale kanë vendosur se 2000 kamera të reja të sigurisë që do të vendosen këtë vit, janë të nevojshme për ta luftuar krimin. Këto kamera mund të pajisen me aftësinë për njohjen e fytyrës dhe mjete me inteligjencë artificiale. Por a do të ndihmojë kjo në rritjen e sigurisë apo do ta rrisë frikën e banorëve nga mbikëqyrja dhe mungesa e privatësisë
Nëse shikoni lart teksa po ecni në rrugët e Hong-Kongut, shanset janë që do të vëreni lentet e zeza të qelqta të një kamere të vëzhgimit në rrugët e qytetit të mbushura me njerëz.
Dhe kjo do të bëhet më e zakonshme gjatë viteve të ardhshme, ndërsa policia e qytetit po nis një fushatë ambicioze për të instaluar mijëra kamera për t’i zhvilluar aftësitë e tyre të vëzhgimit.
Megjithëse është renditur si një ndër qytetet më të sigurta të mëdha të botës, policia thotë se kamera të reja janë të nevojshme për ta luftuar krimin – dhe ka ngritur shansin për t’i pajisur me aftësinë e njohjes së fytyrës dhe mjete me inteligjencë artificiale.
Kjo ka rritur shqetësimet e disa ekspertëve që mendojnë se po e afrojnë Hong-Kongun një hap më afër sistemeve të mbikëqyrjes së Kinës, duke paralajmëruar për potencialin represiv të teknologjisë.
Policia e Hong-Kongut më herët ka vendosur të instalojë 2000 kamera të vëzhgimit këtë vit dhe ndoshta më shumë se kaq, çdo vit pasues. Autoritetet planifikojnë që pas një kohe ta vendosin njohjen e fytyrës në këto kamera, ka thënë shefi i sigurisë Chris Tang në një konferencë për mediat në korrik – duke shtuar se policia mund të përdorë inteligjencën artificiale në të ardhmen për të gjetur të dyshuarit.
Forcat e rendit të Hong-Kongut kanë thënë në një deklaratë se po vëzhgohet se si po i përdorin policitë e vendeve të tjera kamerat e sigurisë, duke përfshirë inteligjencën artificiale. Por, nuk është e qartë se sa nga kamerat e reja mund të kenë aftësi të njohjes së fytyrës, ose nëse për një afat kur do ta ketë këtë mundësi.
Tang dhe policia e Hong-Kongut vazhdimisht kanë vënë në pah juridiksionet e vendeve të tjera, duke përfshirë demokracitë e Perëndimit, të cilat gjithashtu kanë përdorur kamerat e vëzhgimit gjatë zbatimit të ligjit. Për shembull, Singapori ka 90 mijë kamera dhe Mbretëria e Bashkuar ka më shumë se shtatë milionë, ka thënë Tangu për gazetën “Sing Tao Daily” në qershor.
Ndërsa disa nga këto vende, siç është Mbretëria e Bashkuar, kanë filluar të përdorin kamerat me aftësinë e njohjes së fytyrës, ekspertët thonë se këto eksperimente të hershme kanë gjetur se është e nevojshme të ketë rregulla të kujdesshme dhe mbrojtje të privatësisë. Policia e Hong-Kongut ka thënë se do të “veprojë sipas ligjeve” dhe të ndjekë udhëzimet e brendshme – por nuk kanë treguar në detaje se si do të ndodhë kjo.
Dhe, sipas disa kritikëve, çfarë e veçon Hong-Kongun nga vendet e tjera është ambienti politik – në të cilin janë ndërmarrë masa të ashpra për t’i kufizuar disidentët politikë, ndërsa fillon t’i ngjasojë Kinës kontinentale autoritare.
Studentët me maska kundër gazit dhe helmeta kanë mbajtur posterë me mbishkrimet “pesë kërkesat më të mëdha janë të domosdoshme” në kolegjin St. Francis’ Canossian në Hong-Kong.
Pas protestave të paprecedenta dhe shpesh të dhunshme e antiqeveritare që janë mbajtur në qytet në vitin 2019, autoritetet lokale dhe qendrore kanë vendosur ligje gjithëpërfshirëse të sigurisë kombëtare që janë përdorur për të burgosur aktivistë, gazetarë e kundërshtarë politikë dhe të shënjestrojë grupet e shoqërisë civile dhe mediat që shkruanin për atë që po ndodhte.
Liderët e Hong-Kongut kanë thënë se ligjet janë të nevojshme për ta rikthyer stabilitetin pas protestave në rajonin gjysmë autonom dhe argumentojnë se legjislacioni i tyre është i ngjashëm me atë të ligjeve të sigurisë kombëtare në vendet e tjera të botës.
“Ndryshimi është se si do të përdoret teknologjia”, ka thënë Samantha Hoffman, një bashkëpunëtore në Byronë Kombëtare të Kërkimeve Aziatike, e cila ka studiuar përdorimin e teknologjisë për siguri dhe propagandën në Kinë.
Vendet si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar mund të kenë probleme me mënyrën si e përdorin këtë teknologji gjithashtu – por, “kjo është thelbësisht e ndryshme... Ka të bëjë konkretisht me sistemin e qeverisjes dhe me mënyrën se si shteti partiak... e përdor ligjin për ta ruajtur pushtetin e vet”, ka thënë Hoffman.

Çfarë do të thotë kjo për Hong-Kongun?
Hong-Kongu ka më shumë se 54,500 kamera publike CCTV të përdorura nga organet qeveritare – rreth 7 kamera për 1000 njerëz, sipas një vlerësimi nga Comparitech, firmë kërkimore e teknologjisë me seli në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo e vendos qytetin në të njëjtin nivel me New Yorkun dhe ende më prapa Londrës (13 për 1000 njerëz), por askund afër qyteteve kontinentale kineze, të cilat mesatarisht kanë rreth 440 kamera për 1000 njerëz.
Frika nga mbikëqyrja dhe mbrojtja e ligjit nga policia në stilin kontinental kanë shkaktuar ankth të dukshëm gjatë protestave të vitit 2019, të cilat janë zgjeruar për ta rritur frikën e shumë banorëve të Hong-Kongut se qeveria qendrore kineze do ta shkelte autonominë e kufizuar të qytetit.
Protestuesit në rrugë kanë mbuluar fytyrat e tyre me maska dhe syze për ta parandaluar identifikimin nga autoritetet, gjatë kohës kur kanë thyer ose mbuluar kamerat e sigurisë. Në një pikë, ata kanë shkatërruar një shtyllë elektrike inteligjente, edhe pse autoritetet e Hong-Kongut kanë thënë se qëllimi i vetëm i saj ishte të mblidhte të dhëna për trafikun, motin dhe ndotjen.
Gjatë asaj kohe, aktivisti dhe lideri i studentëve, Joshua Wong – i cili është tani në burg nën akuzat e lidhura me aktivizmin dhe sigurinë kombëtare – ka thënë, “A mundet të sigurojë qeveria e Hong-Kongut se nuk do ta instalojë aftësinë e njohjes së fytyrës në shtyllat e ndriçimit inteligjent? ... Ata nuk mund ta premtojnë këtë dhe nuk do e bëjnë për shkak të presionit nga Pekini”.
Në anën tjetër të kufirit, modeli mbikëqyrjes nga i cili kishin frikë protestuesit është i kudondodhur – me Kinën që shpesh feston arritjet e ndryshme nga aftësia e njohjes së fytyrës në kohë reale dhe eksporton teknologjinë e mbikëqyrjes nëpër vende anembanë botës.
Sipas një analize nga Comparitech, tetë nga 10 qytetet më të vëzhguara në botë janë në Kinë, ku aftësia e njohjes së fytyrës është pjesë e pandarë e jetës së përditshme – nga skenimet e fytyrës që kërkohen për regjistrimin e një numri të ri, deri te portat me njohje të fytyrës në disa stacione të metrosë.
Gjatë pandemisë së Covid-19, Qeveria ka mandatuar një “kod të shëndetësisë” QR për ta gjurmuar statusin e shëndetit të njerëzve, që në disa vende kërkonte skenim të fytyrës.
Por teknologjia është përdorur gjithashtu në mënyra më represive.
Në rajonin perëndimor të Xinjiangut, Kina ka përdorur kamera për t’i monitoruar anëtarët e popullatës ujgure me shumicë myslimane. Dhe pastaj protesta të paprecedenta mbarëkombëtare kanë shpërthyer në fund të vitit 2022 kundër politikave të rrepta të Qeverisë ndaj Covidit. Policia ka përdorur aftësinë e njohjes së fytyrës bashkë me mjetet e tjera të sofistikuara për t’i gjurmuar protestuesit, ka gjetur “The New York Times”.
“Sistemet publike vëzhguese të sigurisë së Kinës ... priren të gjurmojnë listat e njerëzve të veçantë, ndoshta të njerëzve me një histori të sëmundjes mendore ose pjesëmarrjes në protesta dhe të gjejnë njerëzit që njihen si problematikë në njëfarë mënyre”, ka thënë Hoffmani.
Sistemi pastaj “ka gjurmuar këta njerëz specifikë përgjatë qytetit dhe përmes rrjeteve të vëzhgimit”.
“Mendoj se është e drejtë të parashikohet se përdorimi i CCTV-së dhe teknologjisë së njohjes së fytyrës në Hong-Kong do të fillojë të duket shumë më shumë si ato në Kinën kontinentale me kalimin e kohës”, ka thënë ajo.
Policia e Hong-Kongut ka argumentuar se kamerat ndihmojnë në luftimin e krimit, duke vënë në pah një pilotprojekt të mbajtur më herët këtë vit të 15 kamerave të instaluara në një distrikt. Deri më tani, këto kamera kanë siguruar të dhëna dhe gjurmë për të paktën gjashtë krime, ka thënë Tang për “Sing Tao Daily” – dhe policia do t’i japë përparësi zonave me rrezik dhe krime të larta për kamerat e tjera.
Në pesë muajt e parë të këtij viti kanë ndodhur 3 për qind më shumë krime sesa në periudhën e njëjtë vitin e kaluar, ka raportuar “Sing Tao”.
Në deklaratën e tyre, policia ka thënë se kamerat e reja do të monitoronin vetëm vendet publike dhe se do t’i fshijnë pamjet pas 31 ditëve. Ata do të ndjekin ligjet ekzistuese të privatësisë së të dhënave personale, si dhe “udhëzimet e brendshme gjithëpërfshirëse dhe të forta”, ka thënë policia, pa treguar se çfarë përfshinin ato udhëzime.
Kur ka konsideruar kamerat e pajisura me inteligjencë artificiale, “policia me siguri do të ndjekë ligjet përkatëse”, kanë shtuar forcat.
Por disa ekspertë kanë hedhur dyshime nëse këto ligje ekzistuese, të shkruara dekada më parë me përjashtime të gjera për policinë, do të mjaftojnë.
Steve Tsang, drejtor i institutit SOAS të Kinës në Universitetin e Londrës, ka paralajmëruar se kamerat e reja do të “përdoren për represion politik” nëse përdoren nën ligjin “e rreptë” të sigurisë kombëtare.
Nëse autoritetet nuk e sigurojnë publikun se kamerat nuk do të përdoren për këtë qëllim, “ky ka të ngjarë të jetë një hap i mëtejshëm për ta shtyrë zbatimin e ligjit të Hong-Kongut më afër me mënyrën se si veprohet në territorin kinez”, ka thënë ai.

Si të rregullohet aftësia e njohjes së fytyrës?
Ekspertët e tjerë kanë argumentuar se është akoma shumë herët të thonë për ndikimin që do të ketë ky hap në Hong-Kong, meqë autoritetet nuk kanë dhënë detaje se si do ta përdorin teknologjinë.
“Ligji i Hong-Kongut nuk bën atë që bën Kina kontinentale”, ka thënë Normann Witzleb, profesor i asociuar në mbrojtjen e të dhënave dhe privatësinë në Universitetin kinez të Hong-Kongut. “Por prandaj është e rëndësishme që autoritetet të adresojnë një sërë pyetjesh që ende janë pa përgjigje”.
Për shembull, mbetet e paqartë nëse Hong-Kongu do ta vendosë aftësinë e njohjes së drejtpërdrejtë të fytyrës që e skanon vazhdimisht mjedisin, ose nëse teknologjia do të përdoret vetëm në pamjet e kaluara kur ndodhin krime të caktuara ose kur jepet autorizimi ligjor.
Witzleb gjithashtu ka ngritur pyetjen se kush do ta ketë fuqinë për ta autorizuar përdorimin e njohjes së fytyrës dhe se cilat situata mund ta justifikojnë atë. A do të përdoret për ta ndjekur penalisht krimin dhe për t’i gjetur të dyshuarit, për shembull – apo për masa të tjera të sigurisë publike si identifikimi i personave të zhdukur?
Dhe, Witzleb ka shtuar, a do ta përdorë policia teknologjinë në bazën e të dhënave ekzistuese të pamjeve, apo do ta përdorë më gjerësisht me pamje të autoriteteve të tjera publike, apo edhe me imazhet publikisht të disponueshme të dikujt?
“Është e rëndësishme të hartohen udhëzime nga sistemet që e kanë njohjen e duhur të përfitimeve të mundshme, por që gjithashtu pranojnë se nuk janë të pagabueshme dhe se kanë potencialin të ndërhyjnë në të drejtat e njerëzve në mënyra serioze”, ka thënë Witzlebi.
Pavarësisht se si mund të përdoret njohja e fytyrës, si Hoffmani ashtu edhe Witzlebi kanë thënë se prezenca e asaj teknologjie dhe e numrit të rritur të kamerave të sigurisë, mund t’i bëjnë banorët e Hong-Kongut të ndihen më pak të lirë nga syri gjithëparës i policisë.
“Kur ndihesh sikurse je duke u monitoruar, kjo ndikon në sjelljet tuaja dhe ndjenjën e lirisë gjithashtu”, ka thënë Hoffmani. “Mendoj se ka një element të detyrimit shtetëror që nuk ka të bëjë me efektivitetin e vetë teknologjisë”.