Të paktën 144 njerëz, përfshirë 27 fëmijë, kanë mbetur të vdekur si pasojë e minave tokësore dhe mbetjeve të pashpërthyera të luftës qëkur regjimi i Bashar al-Assadit ra në fillim të dhjetorit, sipas Halo Trust, organizatë ndërkombëtare e specializuar në pastrimin e minave tokësore dhe mjeteve të tjera shpërthyese. Mbrojtja Civile e Sirisë, e njohur si Helmetat e Bardha, i tha BBC-së se shumë nga të vdekurit ishin fermerë dhe pronarë tokash që donin të ktheheshin në tokat e tyre pas rënies së regjimit të Assadit
Ayghad nuk e mendoi kurrë se ëndrra për t’u kthyer në shtëpinë e tij mund të shndërrohej në një makth.
Ai mundohet t’i mbajë lotët derisa tregon një fotografi të babait të tij të ndjerë, i buzëqeshur dhe i rrethuar nga pemë të bollshme ulliri në tokën e tyre në provincën Idlib, në veriperëndim të Sirisë.
Fotografia është bërë pesë vjet më parë, disa muaj përpara se forcat që bashkëpunonin me ish-qeverinë e Sirisë të pushtonin fshatin e tyre, pranë qytetit të Saraqebit.
Qyteti ishte bastion strategjik për fraksionet e opozitës siriane për vite me radhë, përpara se forcat, aleate me regjimin e rrëzuar të Bashar al-Assadit, të nisnin një ofensivë kundër rebelëve në provincën Idlib në fund të vitit 2019.
Qindra mijëra banorë u larguan nga shtëpitë e tyre, pasi forcat e Assadit aneksuan disa bastione të tjera rebele në veriperëndim, deri në fillim të vitit 2020.
Ayghad dhe babai i tij ishin në mesin e të zhvendosurve.
“Ne u desh të largoheshim për shkak të luftimeve dhe sulmeve ajrore”, thotë Ayghad, me sytë e mbushur plot lot. “Babai im refuzonte të largohej. Ai donte të vdiste në vendin e tij”.
Babë e bir kishin dëshirë të ktheheshin në shtëpi që atëherë. Dhe kur forcat opozitare rifituan kontrollin e fshatit të tyre në nëntor të vitit 2024, ata qenë gati të realizonin ëndrrën e tyre. Por fatkeqësia i goditi shpejt.
“Shkuam në tokën tonë për të vjelë disa ullinj”, shpjegon Ayghad. “Ne shkuam me dy makina. Babai im mori një rrugë tjetër për t’u kthyer në shtëpinë tonë në qytetin e Idlibit. Unë e kundërshtova, por ai këmbënguli. Makina e tij ra në një minë tokësore dhe shpërtheu”.
Babai i Ayghadit vdiq në vendngjarje. Jo vetëm që humbi babanë atë ditë, por humbi edhe burimin kryesor të të ardhurave të familjes. Toka e tyre bujqësore, e shtrirë në 100 mijë metra katrorë, ishte e mbushur me pemë ulliri 50-vjeçare. Tani është një fushë e rrezikshme e minuar.
Të paktën 144 njerëz, përfshirë 27 fëmijë, kanë mbetur të vdekur si pasojë e minave tokësore dhe mbetjeve të pashpërthyera të luftës qëkur regjimi i Bashar al-Assadit ra në fillim të dhjetorit, sipas Halo Trust, organizatë ndërkombëtare e specializuar në pastrimin e minave tokësore dhe mjeteve të tjera shpërthyese.
Mbrojtja Civile e Sirisë, e njohur si Helmetat e Bardha, i tha BBC-së se shumë nga të vdekurit ishin fermerë dhe pronarë tokash që donin të ktheheshin në tokat e tyre pas rënies së regjimit të Assadit.
Mbetjet e pashpërthyera të luftës përbëjnë një kërcënim të madh për jetën në Siri. Ato ndahen kryesisht në dy kategori. Në të parën janë municionet e pashpërthyera (UXO) si bombat thërrmuese, mortajat dhe granatat.
Hassan Talfah, i cili kryeson ekipin e Helmetave të Bardha për pastrimin e UXO-ve në veriperëndim të Sirisë, shpjegon se këto pajisje janë më pak sfiduese për t’u pastruar, sepse ato zakonisht janë të dukshme mbi tokë.
Sipas të dhënave të Helmetave të Bardha, midis 27 nëntorit dhe 3 janarit, ata pastruan rreth 822 UXO në Sirinë veriperëndimore.
Sfida më e madhe, thotë Talfah, janë kategoria e dytë e municioneve, minat tokësore. Ai shpjegon se ish-forcat qeveritare montuan qindra mijëra prej tyre në zona të ndryshme në Siri, kryesisht në toka bujqësore.
Shumica e vdekjeve të regjistruara që nga rënia e regjimit të Assadit kanë ndodhur në ish-linjat e frontit të betejës, sipas Helmetave të Bardha. Shumica e të vdekurve ishin burra.
Talfah e çoi ekipin e BBC-së në dy fusha të mëdha të mbushura me mina tokësore. Makina e ekipit ndoqi të tijën në një rrugë dheu të gjatë, të ngushtë dhe gjarpërore. Është e vetmja rrugë e sigurt për të arritur te ato fusha.
Përgjatë anëve të rrugës, fëmijët vraponin rreth zonës. Talfah thotë se janë pjesëtarë të familjeve që janë kthyer në vend së fundmi. Rreziqet nga minat i rrethojnë ata.
Ndërkohë që anëtarët e ekipit dali nga makina, ai tregon një barrierë në distancë.
“Kjo ishte barriera e fundit që ndan zonat nën kontrollin e forcave qeveritare nga ato të qeverisura nga grupet opozitare në provincën Idlib”, thotë ai.
Ai shton se forcat e Assadit vendosën mijëra mina në fushat përtej barrierës, për të ndaluar forcat rebele që të avancojnë.
Fushat përreth, dikur ishin toka bujqësore. Sot, ato janë të gjitha djerrë, pa gjelbërim të dukshëm, përveç majave të gjelbra të minave që mund të shihen duke përdorur dylbi.
Pa asnjë ekspertizë në pastrimin e minave tokësore, gjithçka që “Helmetat e Bardha” mund të bëjnë tani për tani është të rrethojnë këto fusha dhe të vendosin tabela paralajmëruese përgjatë kufijve të tyre.
Ata gjithashtu shkruajnë mesazhe paralajmëruese në shtëpitë rreth skajeve të fushave. “Rrezik - mina tokësore”, shkruhet në to.
Ata udhëheqin fushata për të rritur ndërgjegjësimin e vendasve për rreziqet e hyrjes në tokat e minuara.
Gjatë kthimit, ekipi has një fermer rreth të 30-tave, i cili është kthyer në vend së fundmi. Ai thotë se një pjesë e tokës i përket familjes së tij.
“Ne nuk njihnim tokat tona”, thotë Mohammedi. “Dikur mbillnim grurë, elb dhe pambuk. Tani nuk mund të bëjmë asgjë. Dhe përderisa nuk mund të kultivojmë në këto toka, do të jemi gjithmonë në gjendje të rëndë ekonomike”, shton ai, qartë e i frustruar.
Helmetat e Bardha thonë se kanë identifikuar dhe rrethuar rreth 117 fusha të minuara në pak më shumë se një muaj.
Ata nuk janë të vetmit që punojnë për pastrimin e minave dhe mjeteve të pashpërthyera, por duket se ka pak koordinim midis organizatave të ndryshme.
Nuk ka statistika të sakta për zonat e minuara me UXO ose mina tokësore. Por organizatat ndërkombëtare, si Halo Trust, kanë krijuar harta të përafërta të shtrirjes së tyre.
Menaxheri i programit Halo Syria, Damian O’Brien thotë se duhet bërë një studim gjithëpërfshirës që vendi ta kuptojë shkallën e ndotjes. Ai vlerëson se rreth një milion pajisje do të duhet të shkatërrohen për të mbrojtur jetën e civilëve në Siri.
“Çdo vend ku ka qenë e pozicionuar ushtria siriane ka shumë të ngjarë të ketë mina tokësore të vendosura rreth tij si një teknikë mbrojtëse”, thotë O’Brien.
“Në vende si Homs dhe Hama, ka lagje të tëra që janë shkatërruar pothuajse plotësisht. Kushdo që hyn në ato struktura për t’i vlerësuar ato, qoftë për shkallën e dëmtimeve ose për t’i rindërtuar ato, duhet të jetë i vetëdijshëm se mund të ketë mjete të pashpërthyera atje, qofshin plumba, municione thërrmuese, granata, predha”, shton ai.
Helmetat e Bardha hasën në një thesar që mund t’ ndihmonte në përpjekjet e tyre për pastrimin e minave. Në zyrën e tyre në qytetin e Idlibit, Talfah tregoi një grumbull hartash dhe dokumentesh, të lëna pas nga forcat qeveritare.
Ato tregojnë vendndodhjen, numrat dhe llojet e minave të vendosura në fusha të ndryshme në të gjithë Sirinë veriperëndimore.
“Ne do t’ua dorëzojmë këto dokumente organeve që do të merren drejtpërdrejt me minat tokësore”, thotë Talfah.
Por ekspertiza lokale në Siri nuk duket të jetë e mjaftueshme për t’u përballur me rreziqet serioze që mjetet e pashpërthyera paraqesin për jetën civile.
O’Brien thekson se komuniteti ndërkombëtar duhet të punojë së bashku me qeverinë e re në Siri për të përmirësuar ekspertizën në vend.
“Ajo që na nevojitet nga donatorët është financimi, për të qenë në gjendje që të zgjerojmë kapacitetet tona, që do të thotë të punësojmë më shumë njerëz, të blejmë më shumë makineri dhe të operojmë në një zonë më të gjerë”, thotë ai.
Sa i përket Talfahut, pastrimi i UXO-ve dhe ndërgjegjësimi për rrezikun e tyre është shndërruar në një mision personal. Dhjetë vjet më parë, ai humbi këmbën e tij derisa çminonte një bombë thërrmuese.
Ai thotë se rasti i tij dhe të gjitha incidentet që ai ka parë me fëmijë dhe civilë të prekur nga UXO, vetëm sa e kanë shtuar këmbënguljen e tij për të vazhduar punën.
“Nuk dua kurrë që ndonjë civil apo anëtar i ekipit të kalojë atë që kam kaluar unë”, thotë ai.
“Nuk mund ta përshkruaj ndjenjën që kam kur largoj një minë që kërcënon jetën e civilëve”, shton ai.
Por derisa të koordinohen autoritetet ndërkombëtare dhe vendore për të neutralizuar rrezikun e minave tokësore, jeta e shumë civilëve, veçanërisht e fëmijëve, mbetet në rrezik.