Botë

Fuqitë botërore mblidhen për ndihma dhe armëpushim në Liban

Liban

Foto: Associated Press

Fuqitë botërore po mblidhen në Paris të enjten me synimin për të mbledhur të paktën 500 milionë euro ndihmë urgjente humanitare për Libanin dhe për të nxitur një armëpushim.

Franca ka lidhje historike me Libanin dhe ka punuar me Washingtonin në përpjekje për të siguruar një armëpushim. Por ndikimi i tij ka qenë i kufizuar që kur Izraeli nisi një sulm në shkallë të gjerë ndaj Hezbollahut të mbështetur nga Irani në shtator, që ka lënë mbi 2,000 të vdekur dhe të zhvendosur dhjetëra mijëra të tjerë, raporton Reuters. 

Parisi e organizoi me nxitim konferencën si një mjet për të treguar se ka ende ndikim në ish-protektoratin e tij, por ndërsa 70 delegacione dhe 15 organizata ndërkombëtare janë të përfaqësuara, pak ministra po marrin pjesë.

I dërguari special i Francës në Liban, Jean-Yves Le Drian paralajmëroi se nëse konflikti nuk ndalet, ekziston rreziku i luftës civile.

"Nëse kjo vazhdon, Libani është në rrezik vdekjeje”, ka thënë ai për televizionin LCI.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka vizituar Lindjen e Mesme në një shtysë përfundimtare për paqe, përpara zgjedhjeve të muajit të ardhshëm.

Pritej të merrnin pjesë kryeministri i Libanit, Najib Mikati dhe ministrat kryesorë të përfshirë në përpjekjet e ndihmës, por as Izraeli, kryeministri i të cilit Benjamin Netanyahu e kritikoi nismën, as Irani nuk u ftuan.

Sipas ministrisë së Jashtme të Francës, konferenca synon të mbledhë të paktën 500 milion euro ndihmë për të ndihmuar kryesisht 500,000-1 milion të zhvendosur. Libani thotë se i duhen 250 milionë dollarë në muaj për ta përballuar krizën.