Botë

Fundi i një epoke

Elizabeth u bë mbretëreshë në një kohë kur Britania e Madhe ende kishte ruajtur shumicën e perandorisë së dikurshme. Ende po rimerrte veten nga rrënojat e Luftës së Dytë Botërore, me ushqimin ende të ndarë me racione, por me privilegjet klasore që ende mbisundonin. Winston Churchilli ishte asokohe kryeministër i Britanisë, Josef Stalini udhëhiqte Bashkimin Sovjetik dhe lufta koreane po zhvillohej. Vdekja e monarkes më jetëgjatë është vlerësuar si fundi i një epoke

Mbretëresha Elizabeth, monarkja që shërbeu më së gjati, me prezencë të pamatshme në skenën botërore për shtatë dekada, ka vdekur paqësisht të enjten në moshën 96-vjeçare, në shtëpinë e saj në Skoci.

“Vdekja e nënës sime të dashur, lartmadhërisë së saj Mbretëreshës, është moment i pikëllimit të madh për mua dhe të gjithë anëtarët e familjes sime”, ka thënë mbreti i ri, i biri i madh i Mbretëreshës, Charlesi.

“Jemi në zi për sovranen hirplote dhe nënën e dashur. E di se humbja e saj do të ndihet në krejt vendin, monarkitë dhe Commonwealthin, dhe te njerëzit e pafundmë nëpër botë”, ka thënë 73-vjeçari në një komunikatë të enjten mbrëma.

Lajmet për përkeqësimin e shëndetit të mbretëreshës shpërthyen pas mesditës të së enjtes, kur mjekët e saj njoftuan se ajo ishte nën mbikëqyrje mjekësore, duke e nxitur familjen që të ngutej për të shkuar në Skoci me qëllim që të jetë pranë saj.

Mijëra njerëz janë mbledhur jashtë Pallatit Buckingham në qendër të Londrës që u pllakos nga një heshtje, kur flamuri u ul në gjysmështizë. Turma u mblodh te porta e pallatit, teksa njoftimi për monarken e vetme të cilën e kanë njohur shumica e britanikëve u vendos në grilat e zinj të portës.

Në bulevardin e madh të Mallit, taksitë e zinj u rreshtuan për të përkujtuar Mbretëreshën.

Pallati Buckingham ka bërë të ditur se Mbreti Charles i Tretë, bashkëshortja e tij Camilla, tani Mbretëresha Consort, do të mbesin në Kështjellën Balmoral, në të cilën vdiq mbretëresha, para se të kthehen në Londër të premten, kur ai pritet që t’i adresohet kombit.

Me vdekjen e Elizabethës, Charlesi automatikisht bëhet monark i Mbretërisë së Bashkuar dhe prijës i 14 shteteve të monarkisë, përfshirë Australinë, Kanadanë dhe Zelandën e Re.

Tronditje për kombin

Mbretëresha po vuante nga, siç i ka quajtur Pallati i Buckinhamit, “probleme të herëpashershme” që prej fundit të vitit 2021, duke e detyruar atë që të tërhiqej nga të gjitha angazhimet publike. Bashkëshorti i saj prej 73-vjetësh, Princi Philip, ka vdekur gjatë vitit 2021.

Detyra e saj e fundit publike ishte të martën, kur ajo e emëroi Liz Trussin për kryeministre – të pesëmbëdhjetën në gjithë mbretërimin e saj.

“Vdekja e Lartmadhërisë së saj, Mbretëreshës, është tronditje për kombin dhe botën”, ka thënë Truss, në fjalimin e saj në Downing Street.

Lajmi për vdekjen e saj tronditi jo vetëm britanikët. Ngushëllimet janë adresuar nga liderët e gjithë botës. Në Paris kryetari njoftoi se dritat e Kullës Eiffel do të ndaleshin në nderim të mbretëreshës.

Mbretëresha Elizabetha e Dytë, e cila ishte edhe e para më e vjetër e një shteti në botë, erdhi në fron pas vdekjes së babait të saj, Mbretit George i Gjashtë, më 6 shkurt të vitit 1952, kur ishte vetëm 25-vjeçare.

Kurorëzimi

Image

Ajo e mori zyrtarisht kurorën në qershorin e vitit pasues. Kurorëzimi i parë i transmetuar në televizion ishte paralajmërim për një botë të re, në të cilën jetët e anëtarëve të familjes mbretërore do të përmendeshin vazhdimisht nga mediat.

"Unë sinqerisht u zotova për shërbimin tuaj, ashtu si shumë prej jush jeni zotuar për timin. Gjatë gjithë jetës sime dhe me gjithë zemrën time do të përpiqem të jem i denjë për besimin tuaj”, kishte thënë mbretëresha në një fjalim para shtetasve të saj në ditën e kurorëzimit.

Elizabeth u bë mbretëreshë në një kohë kur Britania e Madhe ende kishte ruajtur shumicën e perandorisë së dikurshme. Ende po rimerrte veten nga rrënojat e Luftës së Dytë Botërore, me ushqimin ende të ndarë me racione, por me privilegjet klasore që ende mbisundonin.

Winston Churchilli ishte asokohe kryeministër i Britanisë, Josef Stalini udhëhiqte Bashkimin Sovjetik dhe lufta koreane po zhvillohej.

Në dekadat pasuese, Elizabeth u kthye në dëshmitare të ndryshimit të madh politik dhe revoltave sociale brenda dhe jashtë vendit. Telashet e vetë familjes së saj, veçmas shkurorëzimi i Charlesit dhe gruas së tij të parë, Diana, po manifestoheshin në sytë e publikut të gjerë.

Në kohën e rikthimit të simbolit të stabilitetit dhe vazhdimësisë për britanikët në një kohë të rënies ekonomike relative, Elizabeth u rrek gjithashtu të përshtaste institucionin antik të monarkisë në raport me kërkesat e epokës moderne.

“Ajo ia ka dalë të menaxhojë modernizimin dhe zhvillimin e monarkisë si askush tjetër”, ka deklaruar nipi i saj, Princi William, i cili tani është trashëgimtar i fronit, në një dokumentar të vitit 2012.

Historia

Image

Elizabeth ishte monarkja e dyzetë në linjën mbretërore që nisi me mbretin norman, William Pushtuesin, i cili kishte marrë fronin anglez më 1066, pas mposhtjes së sunduesit anglo-sakson, Haroldi i Dytë në Betejën e Hastingsit.

Mbretërimi i saj i gjatë nënkupton se ajo vazhdimisht ka thyer rekorde të sunduesve britanikë. Kur e kaloi edhe stërgjyshen e saj, Mbretëreshën Viktoria, që kishte qëndruar 63 vjet në fron, tha se nuk ishte ndonjë arritje që e kishte ëndërruar.

“Pashmangshëm se jeta e gjatë sjell edhe kthesa – edhe e imja nuk bën dallim”, kishte deklaruar ajo.

Martesa me Princin Philip zgjati 73 vjet, deri në vdekjen e tij në prillin e 2021-s, dhe ata kishin katër fëmijë - Charlesin, Annen, Andrewn dhe Edwardin.

Ajo asnjëherë nuk dha intervistë për media dhe kritikët thoshin se ishte e ftohtë akull. Por, për shumicën e temave të saj, pavarësisht kritikave, ia kishte dalë të fitonte respekt dhe adhurim të madh.

Vdekja e saj shënon fundin e një epoke.

“Në detyrat e saj publike nuk ishte vetjake dhe e urtë, me bujari të madhe shpirti. Kjo e shqoi gjatë gjithë jetës – dhe kështu udhëhoqi”, ka deklaruar ish-kryeministri John Major.

“Për miliona njerëz – anembanë Comonwealthit dhe botës mbarë – ajo mishëronte zemrën dhe shpirtin e kombit tonë dhe adhurohej e respektohej anembanë botës”, ka thënë ai.

Sondazhet e opinionit kanë sugjeruar se Charlesi nuk gëzon të njëjtin nivel mbështetjeje dhe ka spekulime se vdekja e Elizabethit mund të sjellë rritje të ndjenjës republikane, veçanërisht në sferat e tjera.

"Ne e dimë se duke humbur mbretëreshën tonë të dashur kemi humbur personin, besnikëria e palëkundur, shërbimi dhe përulësia e së cilës na kanë ndihmuar të kuptojmë se kush jemi gjatë dekadave të ndryshimeve të jashtëzakonshme në botën, kombin dhe shoqërinë tonë", tha kryepeshkopi i Canterburyt, Justin Welby.

Mbretëresha ishte lidere jo vetëm e Mbretërisë së Bashkuar, por edhe e Australisë, Bahamave, Belizesë, Kanadasë, Grenadës, Xhamajkës, Zelandës së Re, Papua Guinesë së Re, Saint Lucias, Saint Kittsit dhe Nevisit, Tuvalus, Ishujve Solomonë, Shën Vincentit dhe Grenadinesë, si dhe Antiguas e Barbudas.

Image