Përmes një projektligji të propozuar në Kongresin e Kolumbisë, po synohet që të ndalohet shitja e mallrave që glorifikojnë ish-bosin e drogës, Pablo Escobar. Për mbështetësit e projektligjit, kjo nuk ka të bëjë me fshirjen e Escobarit nga historia, ka të bëjë me fshirjen e një konstrukti mitik të tij, gjetjen e mënyrave të reja për të nderuar viktimat që ai vrau dhe pranimin e dhimbjes së vazhdueshme të viktimave të lëna pas
Të hënën e 27 nëntorit të vitit 1989, Gonzalo Rojas ishte në shkollë në kryeqytetin kolumbian, Bogota, kur njëri prej mësuesve të tij ia dha një lajm tejet të trishtë.
Babai i tij, i njohur si Gonzalo, kishte vdekur në një aksident me aeroplan atë mëngjes.
“Më kujtohet që u largova dhe pashë nënën dhe gjyshen time duke më pritur, duke qarë”, thotë Rojas, i cili në atë kohë ishte vetëm 10-vjeçar. “Ishte një ditë shumë, shumë e trishtë”.
Pak minuta pas aterrimit, si pasojë e një shpërthimi në bordin e aeroplanit 203 të “Aviancas”, mbetën të vrarë 107 pasagjerët dhe ekuipazhi, si dhe tre persona të tjerë në tokë të cilët u goditën nga mbetjet e rëna.
Shpërthimi nuk ishte aksident. Ishte sulm i qëllimshëm me bombë nga Pablo Escobar dhe karteli i tij Medellín.
Epoka plot me luftëra për drogë, bombardime, rrëmbime dhe vrasje ka mbetur kryesisht në të kaluarën e Kolumbisë, por trashëgimia e Escobarit jo.
Krimineli famëkeq, i cili u vra nga forcat e sigurisë në vitin 1993, ka arritur të fitojë një status pothuajse të ngjashëm me kultin në mbarë botën, i cili është përjetësuar në libra, muzikë dhe prodhime televizive si seriali “Narcos”.
Në vetë Kolumbinë, emri dhe fytyra e tij është shtypur në kriklla, mbajtëse çelësash dhe bluza në dyqanet turistike që u shërbejnë kryesisht vizitorëve.
Ky përjetësim i Escobarit po kërkohet të ndryshohet përmes një projektligji të propozuar në Kongresin e Kolumbisë.
Projektligji synon të ndalojë shitjen e mallrave që lidhen me Escobarin apo edhe të kriminelëve të tjerë të dënuar, në mënyrë që t’i jepet fund glorifikimit të një bosi droge, i cili ishte qendër në tregtinë globale të kokainës dhe që konsiderohet përgjegjës për të paktën katër mijë vrasje.
“Çështjet që janë pjesë e historisë dhe kujtesës së vendit tonë nuk mund të mbahen mend thjesht nga një bluzë, apo një letërngjitëse e shitur në një cep rruge”, thotë Juan Sebastián Gómez, anëtar i Kongresit dhe bashkautor i projektligjit.
Projektligji i propozuar synon të ndalojë shitjen, si dhe përdorimin apo mbajtjen e veshjeve dhe sendeve që promovojnë kriminelët, përfshirë Escobarin. Në rast të shkeljes së tij, janë paraparë shqiptime të gjobave si dhe mbyllje të përkohshme të bizneseve.

Shumë shitës që shesin këso lloj mallrash pretendojnë se kjo do të kishte ndikim negativ në jetesën e tyre.
“Kjo është e tmerrshme. Ne kemi të drejtë të punojmë dhe këto bluza të Pablos shiten gjithmonë shumë”, thotë Joana Montoya, e cila ka një tezgë të mbushur plot me mallra të Escobarit në Comuna 13, zonë e njohur turistike e Medellín.
Medellín, vendlindja e Escobarit, njihej si “qyteti më i rrezikshëm në botë” në fund të viteve ‘80 dhe në fillim të viteve ‘90 për shkak të dhunës së lidhur me luftërat për drogë dhe konfliktin e armatosur të Kolumbisë.
Sot ky vend është rigjallëruar dhe shndërruar në një qendër inovacioni dhe turizmi, me shitës të etur për të fituar para nga fluksi i vizitorëve që duan të blejnë suvenire ose diçka si kujtim, shumë prej të cilave lidhen me Escobarin.
“Përmes shitjes së këtyre mallrave të lidhura me Escobarin përfitojnë shumë familje këtu, na mban neve. Na ndihmon të paguajmë qiranë, të blejmë ushqim, të kujdesemi për fëmijët tanë”, thotë Montaya.
Ajo thotë se të paktën 15% e shitjeve të saj vijnë nga produktet e Escobarit, por disa shitës i thanë BBC-së se për ta kjo përqindje shkon deri në 60%.
Nëse projektligji miratohet, do të ketë një periudhë kohore të përcaktuar për shitësit që të njihen me rregullat e reja dhe të heqin gradualisht stokun e tyre me mallrat që lidhen me figurën e Escobarit.
“Ne do të kemi nevojë për një fazë tranzicioni në mënyrë që njerëzit të mund të ndalojnë shitjen e këtyre produkteve dhe t’i zëvendësojnë ato me të tjera”, shpjegon kongresmeni Gómez. Ai thotë se Kolumbia ka gjëra më interesante për të treguar sesa bosët e drogës dhe se lidhja që i bëhet vendin me Escobarin e ka stigmatizuar atë në botë.
Disa nga bluzat, të shitura për rreth 5 funte, kanë të shtypur frazën që lidhet me Esobarin - “argjend apo plumb?”. Kjo simbolizon zgjedhjen që shefi i kartelit u dha atyre që përbënin një kërcënim për operacionet e tij kriminale: të pranojë ryshfet ose të vriten.
Asistentja e një dyqani María Suarez beson se fitimi nga shitja e mallrave të Escobarit nuk është etik.
“Ne kemi nevojë për këtë ndalim. Ai bëri gjëra të tmerrshme dhe këto suvenire janë gjëra që nuk duhet të ekzistojnë”, thotë ajo, duke shpjeguar se nuk ndjehet rehat që shefi i saj shet artikujt e Escobarit.
Escobar dhe karteli i tij Medellín në një moment të caktuar besohet të kenë kontrolluar 80% të kokainës që hynte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 1987, ai u emërua si një nga njerëzit më të pasur në botë nga revista “Forbes”.
Ai shpenzoi një pjesë të pasurisë së tij duke zhvilluar lagje të privuara, por shumë njerëz e konsiderojnë këtë si një taktikë për të blerë besnikërinë nga disa segmente të popullsisë.

Vite pas vdekjes së babait të tij, Rojas e kujton atë si një njeri të qetë dhe të përgjegjshëm, që e donte familjen e tij. Për të, projektligji është moment përcaktues.
“Është një moment historik në rrugën se si ne reflektojmë mbi atë që po ndodh në drejtim të komercializimit të imazheve të Pablo Escobarit, në mënyrë që ta korrigjojmë atë”, thotë Rojas.
Megjithatë ai ka kritika. Ai beson se projektligji nuk fokusohet sa duhet në edukimi e brezave të rinj.
Rojas kujton një ditë, shumë vjet më parë, kur takoi një burrë që kishte veshur një bluzë të gjelbër me një foto të Escobarit dhe fjalët “Pablo, President”.
“Më shkaktoi një konfuzion të tillë sa nuk isha në gjendje t’i thosha asgjë për këtë”, thotë ai.
“Duhet të ketë më shumë theks mbi mënyrën se si ne u japim mesazhe të ndryshme gjeneratave të reja, në mënyrë që të mos transmetohet një imazh pozitiv për një bos karteli”.
Rojas ka qenë në mënyrë aktive i përfshirë në përpjekjet për të riformuar narrativat rreth Escobarit dhe tregtisë së drogës. Së bashku me disa viktima të tjera, ai hapi narcostore.com në vitin 2019, një dyqan online që duket se shet artikuj që lidhen me Escobarin.
Por asnjë nga produktet nuk ekziston në të vërtetë dhe kur klientët zgjedhin një artikull për të blerë, atyre u shfaqet një video dëshmi nga njëri prej viktimave. Rojas thotë se faqja ka tërhequr 180 milionë klikime nga e gjithë bota.
Në Kongresin e Kolumbisë, projektligji përballet me katër faza që duhet t’i kalojë përpara se të bëhet ligj. Gómez thotë se shpreson që kjo të reflektojë si brenda ashtu edhe jashtë Kongresit.
“Në Gjermani nuk shiten bluza apo simbole të Hitlerit, në Itali nuk shiten stikerë të Musolinit dhe nuk shkon në Kili e të mund të marrësh një kopje të kartës së identitetit të Pinochet”.
“Unë mendoj se gjëja më e rëndësishme që mund të bëjë ky ligj është që të krijojë një debat në vend, një debat që nuk ka ndodhur ende”.
Kryebashkiaku i Medellín, i cili ishte gjithashtu kandidat për president në zgjedhjet e vitit 2022, e ka mbështetur publikisht projektligjin, duke i quajtur produktet që lidhen me Escobarin “një fyerje për qytetin, vendin dhe viktimat”.
Në El Poblado, një zonë luksoze e Medellínit, e njohur për turistët, tre amerikanë hynë në një tezgë të mbushur me suvenire. Njëri prej tyre blen një kapelë me emrin dhe fytyrën e Escobarit të shtypur në pjesën e përparme. Ai thotë se dëshiron të ketë një kujtim të “historisë”.
Por për mbështetësit e projektligjit, kjo nuk ka të bëjë me fshirjen e Escobarit nga historia, ka të bëjë me fshirjen e një konstrukti mitik të tij, gjetjen e mënyrave të reja për të nderuar viktimat që ai vrau dhe pranimin e dhimbjes së vazhdueshme të viktimave të lëna pas.