Lai Chi Wo është aq i largët sa që edhe sot mund të arrihet vetëm përmes ecjes triorëshe nëpër xhungël ose përmes një udhëtimi të gjatë me varkë rreth bregut. Në vitet 1960, 1970 dhe 1980, shumë familje emigruan jashtë shtetit. Banorët e moshuar të fshatit vdiqën. E Lai Chi Wo u shndërrua në një fshat fantazmë. Por tani, përmes një programi që përfshin një bashkëpunim dhjetëvjeçar midis OJQ-ve, universiteteve dhe agjencive qeveritare, fshatit i është kthyer lavdia e tij të mëparshme
I rrethuar nga malet, i mbërthyer me mjegull e me shumë toka bujqësore, Lai Chi Wo nuk duket sikur i përket Hong Kongut.
Fshati i largët, 300-vjeçar, është një nga vendbanimet më të vjetra dhe njëri me më së shumti biodiversitet.
Vendndodhja e tij nuk është e rastësishme: ajo bazohet në filozofitë tradicionale të popullit Hakka, një nga grupet indigjene parakoloniale të Hong Kongut, që ndërtoi vendbanimin.
“Ne mirëmbajmë atë që quhet pylli feng-shui, për të ruajtur fshatin”, thotë Susan Wong.
Kjo gjyshe, 73-vjeçare, është kreu i fshatit dhe ka lindur në Lai Chi Wo, kur vendbanimi ishte shtëpia e rreth 1 mijë banorëve.
“Nga të parët tanë e deri më tani është përcjellë moslejimi i prerjes së drunjve. Nëse priten të gjithë drunjtë, mali do të zhvishet dhe asgjë nuk mund ta mbulojë fshatin”, shton ajo.
Feng shui - që do të thotë “erë” dhe “ujë” - është filozofi e projektimit se si shtëpitë, fshatrat dhe qytetet duhet të rregullohen për të pasur fat të mirë.
Në Lai Chi Wo, pozicioni i pyllit ka për qëllim të ruajë fshatin nga tajfunet, të parandalojë rrëshqitjet e dheut dhe të menaxhojë nxehtësinë dhe të ftohtin ekstrem.

Megjithatë, në vitet 1960, banorët filluan të largoheshin nga shtëpitë e tyre stërgjyshore: Hong Kongu po industrializohej me shpejtësi dhe sigurimi i jetesës nga bujqësia po bëhej shumë i vështirë.
“Ne nuk kishim as këpucë e as rroba për të veshur”, kujton Wong.
Lai Chi Wo është aq i largët sa që edhe sot mund të arrihet vetëm përmes ecjes tre orëshe nëpër xhungël ose përmes një udhëtimi të gjatë me varkë rreth bregut.
Në vitet 1960, 1970 dhe 1980, shumë familje emigruan jashtë shtetit.
Familja e Wongut, u zhvendos në Mbretërinë e Bashkuar kur ajo ishte 15 vjeçe, në kërkim të mundësive më të mira. Banorët e moshuar të fshatit vdiqën.
E Lai Chi Wo u shndërrua në një fshat fantazmë.
Rithemelimi i komunitetit
Gjatë dekadave që Lai Chi Wo ishte bosh, ndërtesat u shkatërruan dhe tokat bujqësore u egërsuan e u mbushën me barëra të këqija. Rrënjët e pemëve u përthyen rreth dyerve të shtëpive, dhe derrat e egër ose alpinistët e humbur ishin të vetmit që shkelnin nëpër fshat.
Por Lai Chi Wo nuk u harrua plotësisht.
“Në rajone të tjera në Hong Kong, shumë fshatra të braktisura ishin plot me shtëpi të shembura e me bimë që pushtonin tërë vendbanimin”, thotë Chiu Ying Lam, udhëheqës i Fondacionit të Fshatrave të Hong Kongut.
Megjithatë, kur ai vizitoi për herë të parë Lai Chi Wo në vitin 2009, u befasua kur pa se shumë shtëpi ishin të mirëmbajtura.
Lam spekuloi se këta banorë ishin ende të lidhur me shtëpitë e tyre stërgjyshore dhe po planifikonin të ktheheshin një ditë, ndoshta kur të dilnin në pension.
Kjo i ndezi atij një ide që përfundimisht do të bëhej Programi i Qëndrueshëm Lai Chi Wo: një bashkëpunim dhjetëvjeçar midis OJQ-ve, universiteteve dhe agjencive qeveritare për t’i rikthyer fshatit lavdinë e tij të mëparshme.

Gjatë viteve, Lam vlerëson se rreth 12.8 milionë dollarë janë financuar nga bizneset, organizatat e ndryshme dhe qeveria e Hong Kongut për të investuar në rizhvillimin e fshatit, duke përfshirë punimin e pesë hektarëve tokë bujqësore që ishin lënë djerrinë dhe rindërtimin e 15 shtëpive të rrënuara.
Përmes këtij projekti synohej që të ktheheshin banorët e mëparshëm, si dhe të silleshin edhe njerëz të rinj. Në vitin 2015, Ah Him Tsang dhe gruaja e tij, të cilët nuk janë Hakka, ishin një nga familjet e para që u shpërngulën në fshat, duke kërkuar një jetë “më afër natyrës”, për të rritur djalin e tyre, në atë kohë të mitur.
Ashtu si shumë banorë të Lai Chi Wo, Tsang merret me shumë punë: ai kultivon perime dhe drithëra në një fermë të vogël, dhe gjatë fundjavave, drejton bujtinat e “Hakka Experience” dhe një dyqan që shërben çaj, kafe dhe akullore të prodhuar në vend, për turistët që kalojnë andej pari.
“Unë i kultivoj këto perime për programin tim të qëndrimit, për një përvojë të ngrënies nga ferma në tryezë”, thotë Tsang, duke shtuar se “Hakka Experience” është krijuar për t’u ofruar vizitorëve një përvojë më autentike të jetës në fshat.
“Ju mund të ndjeni vërtet qetësi, qetësinë e natyrës këtu. Shpresoj që më shumë njerëz të qëndrojnë më gjatë dhe të shijojnë ritmin që ofron ky vend”, shton ai.
Kthimi në shtëpi
Fluksi i njerëzve të rinj në Lai Chi Wo inkurajoi më shumë nga ish-banorët vendas që të ktheheshin gjithashtu.
Pas daljes në pension, Wong u kthye në Hong Kong nga Mbretëria e Bashkuar për t’u kujdesur për prindërit e saj të moshuar dhe dëgjoi për projektin e rigjallërimit.
Në vitin 2019, ajo vendosi të kthehej në fshat me babanë e saj tashmë 103-vjeçar, në shtëpinë ku kanë lindur të dy.
“Jam shumë e lumtur sepse më pëlqen ky fshat. Kam kaq shumë miq që janë kthyer”, thotë ajo.
Me babanë e saj, Wong drejton një fermë të vogël, ku kultivon portokaj, mandarina, limonë, speca djegës, lule e perime.
Përmes projektit janë prezantuar po ashtu edhe kultura të reja si kafeja, e cila rritet në hije. Kjo teknikë mbron pyllin duke shtuar bimë me vlerë të lartë rreth perimetrit të pyllit vendas, ndërkohë që rrit fitimet për fermerët.
Lai Chi Wo tani ka rreth 700 fabrika kafeje, duke e bërë atë “rajonin më të madh të prodhimit të kafesë në Hong Kong”, thotë Ryan Siu Him Leung, zyrtar i lartë i projektit në Qendrën për Shoqërinë Civile dhe Qeverisje në Universitetin e Hong Kongut, i cili mbikëqyr pjesë të programit të rigjallërimit të Lai Chi Wo.
Universiteti i Hong Kongut po jep me qira një pjesë të tokës për bujqësi eksperimentale dhe po ndihmon fshatarët t’i kthejnë të korrat e tyre në produkte me vlerë më të lartë përmes një fabrike të licencuar të përpunimit të ushqimit në Sha Tau Kok, rajon aty pranë.
“Produktet përfshijnë turshitë dhe reçelrat e pazakonta të frutave, ose ushqime të stinës si torta e njohur me rrepkë”, thotë Leung.
“Ne po rishikojmë gjithashtu recetat tradicionale Hakka dhe po përpiqemi të eksplorojmë mundësinë e shndërrimit të atyre recetave në produkte komerciale”, thotë ai, duke shtuar se aktualisht po shesin produkte përmes furnitorëve lokalë dhe tregjeve të hapura të fermerëve si dhe po planifikojnë të lansojnë një dyqan online së shpejti, për të rritur numrin e klientëve.
Modeli i ringjalljes
Ndonëse projekti ka tërhequr vëmendje, përfshirë njohjen nga UNESCO në vitin 2020 për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e qëndrueshëm, nuk ka kaluar i gjithi pa probleme.
Ka pasur rezistencë nga disa prej ish-fshatarëve, të cilët pretendojnë se nuk janë konsultuar siç duhet për rizhvillimin e fshatit.
Përveç kësaj, edhe pas më shumë se një dekade prej fillimit të projektit, fshati ende nuk është i qëndrueshëm financiarisht dhe mbështetet nga financimi i jashtëm, duke përfshirë subvencionet e qeverisë për fermerët.
Bujqësia në një shkallë kaq të vogël, kryesisht, nuk sjellë shumë të ardhura.
Leung thotë se shumica e banorëve të rinj punojnë punë online nga shtëpia dhe bujqësinë e kanë vetëm pasion.
Leung shprehet se, përveç ruajtjes së stilit të jetesës tradicionale të fshatit, ka një avantazh ekologjik për ruajtjen e tokës bujqësore: bujqësia e qëndrueshme ndihmon në menaxhimin më të mirë të kullimit të ujit dhe përmirësimin e shëndetit të tokës.
Edhe nëse fshati nuk është ekonomikisht i pavarur, ai mendon se ia vlen dhe se themelimi i një komuniteti të qëndrueshëm është më i rëndësishëm.
Projekti është shndërruar në një model për rigjallërimin e qëndrueshëm të fshatrave dhe po zbatohet edhe në dy fshatra aty pranë, Mui Tsz Lam dhe Kop Tong.
Këto vendbanime janë rreth një e dhjeta e madhësisë së Lai Chi Wo, thotë Leung, por të dyja kanë një pyll feng shui, florë dhe faunë të larmishme dhe ofrojnë potencial për të zhvilluar një vend ekoturistik.
“Shpresojmë që të mund të kemi një rajon më gjithëpërfshirës të fshatrave të rigjallëruara, të cilat mund të jenë një pikë tërheqëse për komunitetin më të gjerë të Hong Kongut”, shton Leung.